Nga data 15 janar 2015 hapet procesi i aplikimeve për të gjithë kandidatët e interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”.
Aplikimi do të bëhet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Procesi i aplikimit është i hapur deri më datë 15 Shkurt 2016 dhe formularët e aplikimit mund të tërhiqen pranë çdo Drejtorie Vendore të Policisë.
Në përfundim të të gjithë procesit të konkurrimit, do të përzgjidhen 300 kandidatë fitues, të cilët do të vazhdojnë Shkollën Bazë të Policisë, nga të cilët 90 për gjininë më pak të përfaqësuar dhe 6 persona për minoritetet.
Kur nuk plotësohet kuota e përcaktuar për gjininë më pak të përfaqësuar dhe minoritetet, do të merren në rend zbritës aplikantët, të cilët përfaqësojnë po këto kategori, por që duhet të kenë arritur minimumin e pikëve për tu shpallur fitues.
Përzgjedhja e kandidatëve do të realizohet përmes një procesi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit.
Kriteret e aplikantit
Kriteret, që duhet të përmbushë aplikanti, për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë:
Të jetë shtetas shqiptar.
Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit apo të jetë larguar nga shërbimi civil.
Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
Të ketë mbaruar arsimin e mesëm.
Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur.
Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose të një kundravajtje penale me dashje.
Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.
Dokumentacioni për aplikim
Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:
Formularin e aplikimit.
Fotokopje të kartës së identitetit.
Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit.
Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.
Certifikatë e gjendjes gjyqësore.
Certifikatë familjare.
Vërtetim nga Gjykata.
Vërtetim nga Prokuroria.
Raport mjeko-ligjor.
Fotokopje të librezës së punës ose vërtetim që ndjek arsimin e lartë (nëse i disponon).
Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore, që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.
Mandat pagesa e tarifës së aplikimit.
Radha e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve
Për përzgjedhjen e kandidatëve, që do ti nënshtrohen konkurrimit, do të ndiqen hapat e mëposhtëm:
Dorëzimi i dokumentacionit nga aplikanti dhe dhënia e numrit të regjistrimit nga struktura vendore e burimeve njerëzore.
Shqyrtimi i kritereve dhe dokumentacionit nga struktura vendore e burimeve njerëzore, nëse aplikanti plotëson kriteret e përcaktuara.
Verifikimi paraprak i aplikantëve, për rekorde të mundshme kriminale.
Njoftimi me shkrim nga struktura vendore i aplikantëve, që nuk plotësojnë kriteret për të vazhduar testimin.
Dërgimi në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore i listës emërore të aplikantëve, që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Hartimi i listës përfundimtare të aplikantëve, që plotësojnë kriteret dhe caktimi i numrit kodik për çdo aplikant nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore.
Pajisja e çdo aplikanti me formularin e pranimit dhe numrin kodik nga strukturat vendore të burimeve njerëzore.
Publikimi në websit-in e Policisë së Shtetit dhe në media për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të konkurrimit, si dhe listën e kandidatëve që kualifikohen për të konkurruar.
Procesi i apelimit.
Konkurrimi.
Shqyrtimi i dokumentacionit dhe procesi i ankimimit
Afati i shqyrtimit dhe verifikimit të dokumentacionit është 10 ditë pune nga mbyllja e afatit të aplikimeve.
Aplikanti, që nuk plotëson kriteret dhe nuk ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të aplikimit, skualifikohet, duke u njoftuar me shkrim nga struktura e burimeve njerëzore.
Aplikanti ka të drejtën e ankimit tek Drejtori i Policisë Vendore brenda 2 ditëve nga data e njoftimit të përgjigjes.
Drejtori i Policisë Vendore shqyrton dhe kthen përgjigje brenda 5 ditëve nga data e marrjes së ankesës.
Fazat e Konkurrimit
Aplikanti, që kualifikohet për të vazhduar procesin e pranimit në Akademinë e Sigurisë, i nënshtrohet fazave të mëposhtme të konkurrimit:
Testimi me shkrim,
Testimi i aftësive fizike,
Intervistës me gojë,
Ushtrimeve vlerësuese dhe testimit të aftësive të të shkruarit,
Testimi psikologjik,
Kontrolli shëndetësor,
Marrja e shenjave të gishtave,
Verifikimi përfundimtar i aplikantit.
Strukturat e Burimeve Njerëzore pranë Drejtorive Vendore të Policisë do t’u japin të gjithë aplikantëve formularin e aplikimit, informacionin e nevojshëm për procedurat, kërkesat dhe çdo lloj testimi e verifikimi, si dhe për ushtrimin e të drejtës së apelimit.
Të gjithë aplikantët, për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces, mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ose pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.