Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme më parë në fshatin Krekëz të Kuçovës. Pas një grindjeje familjare arsyet e të cilës nuk dihen ende, 55-vjeçari Idajet Veizllari ka rrahur bashkëshorten e tij, duke e lënë pa ndjenja në tokë.
Ulërimat e gruas kanë tmerruar familjarët e komshinjtë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe spitalin por në kushte të rënda shoku, 55-vjeçari Idejat Veizllari ka pirë një kokërr “fostoksinë”, duke tentuar vetëhelmimin.
Të dy bashkëshortët janë transportuar në gjendje të rëndë drejt Repartit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gruaja është e shtruar dhe me plagë të shumta për shkak të goditjeve të marra, ndërkohë që 55-vjeçari është nisur në gjendje kritike për jetën drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Mjekët e Spitalit të Beratit kanë deklaruar se sasia e helmit të marrë nga Veizllari kishte depërtuar në gjak dhe kjo e çoi pacientin në gjendje kritike për jetën.
Në Spitalin e Beratit por edhe në banesën e çiftit Veizllari kanë shkuar forca të shumta policie, që po pyesin edhe të afërm e familjarë në lidhje me ngjarjen e rëndë,shkaqet e të cilës nuk dihen ende.
/a.r