Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se kryeministri Albin Kurti duhet të ndjekë Edi Ramën në nismën ‘Open Balkan’, ku tashmë bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Në ‘Studio Live’ në Report Tv me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, Hoxhaj tha se aktualisht Ballkani i Perëndimor nga mbetur në vend sa i takon procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, prandaj është e nevojshme që vendet të përfshihen në iniciativa të tilla rajonale, që të përfitojnë sa më shumë të munden në aspektin e fuqizimit ekonomik.
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës thotë se në Prishtinë është krijuar perceptimi se Open Balkan mund të minojë shtetësinë e Kosovës, prandaj është e nevojshme që Kurti të ulet në tavolinë me Ramën dhe të flasin për përfitimet e nismës në mënyrë që qytetarët t’i heqin këto dyshime.
“Para shumë vitesh kur kam qenë në pozita të qeverisë kam mbajt një qëndrim që Ballkani i hapur nuk është gjë tjetër veçse një proces që mund ta izolojë Kosovën, nuk është përdor në atë kohë një term i tillë, njihej si mini-shengen. Duhet ta kuptojmë që në jetojmë në një realitet të ri, realiteti i ri që është në Ballkan është që politika e zgjerimit në BE ka stagnuar, nuk mund të pritet të ketë hap të madh të zgjerimit. Në situata të tilla, ata që kanë pozita vendimmarrëse duhet të mendojnë politikë të hapur dhe hapa të ndërmjetme. E shoh të rëndësishme qasjen e kryeministrit Edi Rama me Ballkanin e Hapur. Në Prishtinë ka një keqkuptim se mendohet se Ballkani i Hapur mund ta izolojë Kosovën dhe minojë shtetësinë e Kosovës. Mendoj se qeveria e Kosovës duhet të flasë me Ramën në mënyrë të qartë dhe mirëfilltë se çfarë mund të bëhet në mënyrë që të mund të ketë një përgënjim”, tha Enver Hoxhaj në Report Tv.
Open Balkan është një nismë nga tre shtete e rajonit, Shqipëria me kryeministrin Edi Rama, Maqedonia e Veriut me Zoran Zaev dhe Serbinë me Aleksandër Vuçiç, e ndërsa Kosova e Albin Kurtit ka refuzuar kategorikisht. Sipas kreut të LVV-së, nuk mund të ketë Ballkan të Hapur kur Serbia është e mbyllur për Kosovën madje e ka quajtur atë “iniciativë të rrezikshme”.
/a.r