Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje prokurorisë që të japë përgjigje për dokumentin e dorëzuar nga Kuvendi në Gjykatën Kushtetuese, që thuhet se ishte me datë të falsifikuar.
Në një intervistë në RTSH, kreu i shtetit thekson se pret që edhe opozita të reagojë për atë që ai e cilësoi skandal të rëndë.
“Kerkoj nga Prokuroria pergjigje per falsifikimin e rende te provave te Kuvendit ne Gjykaten Kushtetuese per te cilen kam bere nje kallezim penal. Pres nga e gjithe opozita te reagoje per kete skandal kaq te rende.”, pohoi ai.
Mes të tjerash Meta tha se nuk tërhiqet nga asnjë deklaratë që ai ka bërë.
“Asnjë fjale nuk tërheq nga ato qe kam thënë. Ne aktualisht jemi në një situatë relativisht të qetë në vend, duhet të rivendosemi në atë kohë, kur shteti shembi Teatrin Kombëtar në një gjendje të jashtëzakonshme.
Presidenti ngriti një padi për Teatrin pikërisht që mos kishim një acarim të situatës, të qetësoheshin edhe artistët që ishin të indinjuar me të drejtë. Presidenti negocioi për zgjedhje demokratike të cilat nuk mund të jenë kurrësesi si në Danimarkë, por duhet të ishin gjithëpërfshirëse.
Presidenti ka qenë gjithmonë që ngjarje si ato të Elbasanit dhe Kavajes të mos ndodhnin kurrë, dhe të mos kishte konflikt përpara zgjedhjeve.
Gjithçka është tentuar për t’u zhvendosur nga konteksti dhe janë situata të provokuara nga maxhoranca. Gjithë situatën e tensionuar që u krijua ne zgjedhjet e 25 prillit, u bë nga vetë mazhoranca, me qëllim, për të kapur gjithë pushtetet. Ngjarja e Kavajës dhe Elbasanit u provokuar nga vetë eksponentë të tyre.
E vetmja pengesë e tyre ishte Presidentit i Republikës. Unë jam krenar që edhe i vetëm si Institucion, para mazhorances, kam kthyer çdo ligj të paligjshëm dhe të padrejtë, duke bërë qëndrese të argumentuar para çdo padrejtësie.”, pohoi presidenti./m.j