Nga Eva Gjura/
Z. Ngjela reforma në drejtësi duket se ka mbetur në vend numëro, pasi pozita dhe opozita nuk arrijnë si gjithmonë të gjejnë gjuhën e konsensusit. Duke e parë si një njeri që e njeh mirë fushën e drejtësisë, çfarë po ndodh?
Kjo ndodh sepse reforma në drejtësi e ka pengesën tek Presidenti i Republikës; ai ka edhe prokurorinë edhe gjykatën. Mjafton me disa ndërrime, me një përmirësim të sistemit, reforma në drejtësi do të kishte filluar. Por Presidenti nuk është një person me personalitetin e tij; është i varur nga Berisha deri diku tani edhe nga Meta. Megjithatë do ta shikojmë çështjen në substancë dhe duhet të themi se një shtet informal, i pakontrolluar, me një klasë politike që nuk e dinte çfarë ishte përgjegjësia dhe që mendonte që gjithçka është fushë e hapur dhe mund të ecnin me këpucë dhe pa këpucë, sigurisht që do të sillnin një situatë të tillë në funksion të korrupsionit.
Në një shtet të pasistemuar, pushtetarët synojnë drejt korrupsionit, drejt pasurimit individual; kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Ju mos shikoni shtetet e mëdha që kanë struktura solide; atje as presidentët nuk bëjnë dot asgjë; por në të gjitha shtete e pazhvilluara vulgarizohet kapitalizmi, sepse kalon në klientelizëm. Klientelizmi pjell korrupsionin; por fatkeqësia e Shqipërisë është se ishin të dy krahët e pushtetit të korruptuar, edhe pushteti gjyqësor edhe pushteti politik; dhe kuptohet se kanë një aleancë të brendshme të heshtur: “ju vidhni shtetitn, ne po abuzojmë mbi individin”, thonë gjyqtarët; “ne shesim drejtësinë, ju shisni shtetin”, dhe kështu merr fund gjithçka. Kjo është gjendja.
Tani çfarë ndodh? Befas politika shqiptare duke mos patur eksperiencë duke mos qene në një sens diktatorial, por me alternim të pushtetit nëpërmjet votave, e kuptojnë se nuk kishte rrugë tjetër me përjashtim të integrimit në Europën e Bashkuar. Europë e Bashkuar do të thotë perëndim, perëndim do të thotë strukturë. Politika perëndimore që drejtohet nga politika amerikane e kërkon Shqipërinë në Bashkimin Europian; por BE i thotë dakord politikës amerikane, si partner kryesor i Shqipërisë: “nuk kemi asnjë kundërshtim, por ata janë të korruptuar! Si t’i fusim në tregun tonë?! Do të bëjmë investimet që të ngremë parametrat e tregut shqiptar që të hyjnë në tregun Europian.”
Duhet të kemi parasysh që Bashkimi Europian nuk është entitet politik, është entitet ekonomik, treg; dhe natyrisht që do të të integrojë ne tregun tij. Por për këtë duhen disa parametra. Kryesorja është që të mos jesh i korruptuar si shtet; sepse ai nuk mund të vijë të investojë këtu për parametrat e tregut; dhe këto t’i marrin pushtetarët dhe t’i çojnë në Qipro. Kjo është e thjeshtëzuar, apo le të themi në substancë ajo që ndodh. Këta nuk heqin dorë, janë të kapur. Perëndimi thotë duam reformë në drejtësi . Reforma në drejtësi kap këta. Këta kanë pushtetin, këta kanë numrin në parlament dhe vijnë vërdallë për të mos bërë reformën në drejtësi. Kush e vuan, e vuan populli.
Po jua them që ta dini: 3 miliard euro në vit humbet Shqipëria për investimet e asaj që thashë, integrimi i tregut shqiptarë me tregun perëndimor. Një miliard euro në vit për agro-kulturë, bujqësi, një për agro-industri dhe një për turizëm; dhe e kanë kapur shumë saktë se këta janë tre burimet e prodhimit Shqipërisë: bujqësi, agro-industri dhe turizëm, të cilat krijojnë treg për Europën, sepse ne nuk mund të zhvillojmë këtu se nuk kemi treg. Dhe këta parametra nuk po i plotësojnë. Ka dy vjet që vjen vërdallë kryeministri shqiptar nuk po e bën dot reformën, sepse këta nuk e lënë.
E do kryeministri shqiptar reformën apo nuk e do kryeministri shqiptar reformën brenda vetes ne nuk e dimë, por ai shprehet se po. Dhe mua më ka thënë politika amerikanë kur i kam pyetur, që për ne ai është me reformën, ndërsa Berisha dhe Meta janë kundër reformës. Kjo është pengesa. Çfarë do të bëhet . Nuk e di. A ka forcë ky kryeministër, a e ka seriozisht ky kryeministër për reformën?! Nuk e di. A kanë forcë tendencat ekstra parlamentare për të krijuar ndonjë gjë. Jo! Po politika amerikane? Ka forcë. Do ta çojë deri në fund Ambasadori Lu qëllimin që i ka vënë vetes. Unë them se po.
Ambasadori amerikan dhe ambasadorja e BE këtë herë kanë folur hapur. Por sërish politika jonë nuk po reagon ashtu siç duhet. Pse?
Ky është ngërçi, ata po flasin hapur. Sepse politika është e infektuar dhe të japin për të kuptuar se kanë frikë. Nëse instalohet drejtësia e kulluar, kush është i përlyer?! Ku e dimë ne se kush i ka faktet. Kjo ka qenë një shoqëri e pakontrolluar. Pra, është frika e atyre dhe ngjarjet që kanë ndodhur në Bullgari dhe në Rumani. Një mijë është numri i të arrestuarve në Rumani. Kryeministra, ministra, deputetë.
Po gjëja më e rëndësishme që e shqetëson një deputet dhe duhet ta shqetësojë, është se ka arritur mbi 60 numri i të arrestuarve në Beograd; dhe kjo do të thotë se ata po fillojnë reformat. Loja është se kush do të hyjë më parë në Europë, ne apo Serbia, në funksion të Kosovës. Unë nuk di se për kë luajnë këta politikanë. Janë të trembur nga shkeljet që kanë bërë, apo nuk duan zhvillimin e qytetarëve shqiptarë. Pse nuk del ky kryeministër pasi ka folur ambasadori Lu, i cili thotë se është reforma ime, të dalë dhe të kërkojë me forcë që e dua unë këtë reformë. Pse? Kjo mua nuk më pëlqen.
Mendoni se po të kishim një President më të pavarur hapat do të ishin më konkretë në reformën në drejtësi?
Po! Reforma do të kishte ardhur në gjysmën e vete sot. Ai e ka frenuar. Nuk ka hequr Prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm është njeri i blerë, i drejtuar nga këta, nga korrupsioni.
Gjithmonë për opinionin publik serviren gjëra teknike, siç është Komisioni i Venecias. Çfarë po na sugjeron ky komision që ne nuk po e realizojmë dot reformën në drejtësi ?
Gjithë problemi është se nuk duan reformën. Janë mësuar kështu, që vijnë vërdallë; jo do ta bëjmë sot e jo do ta bëjmë nesër. Njëri vjedh për hesap të vet; pastaj vijnë zgjedhjet, ndërrohet pushteti; do dy vjet sa të marrë formë dhe më pas kalojmë në kalendar greke. Por ka një gjë që e ka shqetësuar qeverinë shqiptare deri aty sa të japë dorëheqjen, sepse nuk ka para. Perëndimi e kuptoi. Bëni reformën të keni burim financiar. S’ka burim financiar, sepse kanë rënë remitancat e emigracionit që na kanë mbajtur deri më tani. Anija deri më tani ka ecur vetë, s’ka patur nevojë për kryeministra, as për Majkon, as për Metën, as për Nanon.
I ra në shpatulla Saliut 4-vjeçarin e dytë, që e bëri katrahurë dhe rriti borxhin. Erdhi tjetri, e rriti edhe më tej borxhin se nuk mban dot shtetin; dhe nuk ka ku të shkojë më, filli po këputet. Ata nuk japim para. Merkeli deklaroi se do t’i kthejë emigrantët; nuk pranoi asnjë emigrant. E gjitha kjo është një bllokim që iu kanë bërë këtyre edhe financiarisht. Do të rrish kryeministër, do të të shqyejë populli, ndaj bëj reformë. Kemi dy gjëra: kemi embargon gjermane në nocionin financiar dhe të mospranimit të refugjatëve, në funksion të presionit që i bëhet qeverisë shqiptare; kemi dhe presionin e madh amerikan nëpërmjet ambasadorit Lu në Tiranë. Megjithëse Saliu ishte gati duke thënë se e kanë blerë këta ambasadorin amerikan, por ai doli dhe tha se është qëndrim i Departamentit të Shtetit. Sepse ashtu ju thotë Saliu aty brenda njerëzve të tij dhe këtë e bën që të fitojë kohë.
SHBA flet drejtpërsëdrejti, ka një raport intensiv midis Metës dhe Ramës; ndërsa nuk di se çfarë po ndodh dhe gjithë tabori i Saliut po flet broçkulla. Kush je ti që del e thua është marrë peng, apo nuk është marrë peng reforma kur ai tjetri del dhe thotë se është reforma ime?! Kush je ti?! Ti je nën ombrellën amerikane. Ti je një tokë e panjohur pa Amerikën. Ajo të futi në NATO, ajo po kërkon të fusë në BE, ajo po të mëson të krijosh prosperitet. Kush je ti?! Ti do t’ju mësosh atyre të drejtat e njeriut?! Tani nxjerrin pengesa jo Venecia, kjo apo jo, kjo krijon një shije jo të mirë tek të huajt për këtë klasë politike. Por gjëja kryesore është a e ka seriozisht kryeministri shqiptar apo jo. Nëse nuk e ka seriozisht, gjendja do të jetë shumë e rëndë në Shqipëri. Unë ju deklarova, ka ardhur Mariza Lino.
Komisioni i reformës është përfshirë në një tjetër debat lidhur me çështjen e numrave, jo 84 por 93 për anëtarët e KLD. Kaq e vështirë të arrihet në një konsensus për të patur edhe ne një KLD sipas standardeve që kërkon BE dhe larg klaneve politike?
Në qoftë se reforma nuk merret me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por e lë me të korruptuarit që janë brenda, nuk ikin gjyqtarët. Po nuk ikën gjyqtarët, korrupsioni nuk goditet. Mirëpo me 93 vota ata nuk pranojnë. Kjo KLD dhe këta gjyqtarë kanë koneksion me qeverinë Berisha dhe me gjithë klanin Berisha, sepse ata i kanë bërë në tetë vjet dhe i kanë korruptuar. Dhe tani vjen problemi se nuk i eliminojnë dot këta, se kështu e kanë bërë reformën me mjetet ekzistente, kurse reforma nuk ka lidhje fare me këtë. Këta e kanë nëpërmjet institucioneve ekzistente; pra duan të eleminojnë KLD-në dhe me anë të KLD-së të eleminojnë gjykatësit e korruptuar. Po ta ketë me 2/3 KLD-në, gjë që nuk ka qenë deri më tani, ata nuk të lenë që t’i të vësh njerëz të pavarur dhe të bëjnë reformën; dhe do të vënë njerëzit e tyre ose do të mbeten këta që janë dhe kjo do të thotë se nuk ka reformë.
Ju keni vënë një emër konkret duke thënë se Sali Berisha nuk do realizmin e reformës në drejtësi. Pse?
Jo, nuk e do reformën në drejtësi, sepse ai ka 3-4 shkelje të mëdha. Këta i kanë investiguar abuzimin e familjes. Është edhe familja në mes, nuk është vetëm ai. Mijëra hektarë prona ka familja e tij me emra të ndryshëm. Ku i gjen mijëra hektarë?! Ku i gjete pronat ti nga Tropoja, që tani del me mijëra hektarë prona kudo?! Kanë gjithë këto prona dhe tani nuk dinë si të mbrohen. Morën zyrën e Kthimit të Pronave dhe ju bëri presion pronarëve. Por me një hetim del. Pra janë tërësisht të zbuluar; dhe fakti që kërkon të hyjë në hetim FBI, çfarë do të bëjnë këta, janë të falimentuar dhe kërkojnë të fitojnë kohë; ndaj ka zvarritje dhe kjo zvarritje është krejtësisht dizinteresi i segmenteve të caktuara të korruptuara të qeverive.
Me të gjitha këto që ju po thoni, shqiptarët të mos shpresojnë të ketë reformë në drejtësi?
Unë them se do të ketë, sepse shoh këmbënguljen e madhe të ambasadorit amerikan.
Do të ketë emra të mëdhenj që do të futen në burg?
Pasi të bëhet reforma në drejtësi, pastaj është çështje provash, nuk mund të flasim dot. Po, me një drejtësi të kulluar. Po u bë reforma në drejtësi askush nuk shpëton dot. Reforma ata i ndëshkon dhe ata nuk e realizojnë reformën. Reforma godet korrupsionin,korrupsioni ka pushtetin dhe nuk lë reformën.
Qeveria Rama po hyn në vitin e tretë të qeverisjes, në gjykimin tuaj si ka punuar kjo qeveri në drejtimin e Ramës?
Qeveria bën sikur punon, sikur realizon dhe opinioni publik bën sikur beson. Një pjesë. Një pjesë e di që nuk bën gjë, kurse pjesa tjetër e di që ka një konflikt në mes Metës dhe Ramës dhe ka ngrirë situata. Kjo është ndarja e opinioneve. Opinioni im është se nuk ka bërë reformë. Shqipëria ka nevojë për reformë nuk ka nevojë për rilindje. Rilindjen e ka bërë. Kishte nevojë për reformë. Kanë filluar një reformë në arsim. Unë e përkrah si draft, por nuk po funksionon. Po kryesorja është reforma institucionale dhe reforma në drejtësi, e cila na fut në Europë. Derisa nuk ka bërë këtë, çfarë thotë se ka bërë tjetër?! Të tjerat i bëjnë vetë njerëzit. Ky është kapitalizëm.
Si po funksion koalicioni Meta –Rama, kush e mbizotëron këtë koalicion?
Është një koalicion që nuk duhej bërë, sepse ose do të ishte një marrëveshje prej të korruptuarish ose do të ishte një marrëveshje prej njerëzve që duan të institucionalizojnë moralitetin në shtetin shqiptar. Kjo e dyta nuk kishte mundësi të ndodhte, por mesa duket afrimi me Metën ishte gabimi kryesor i Ramës, se ai vazhdoi veprën e vet: korrupsionin.
Cili është gjykimi juaj për ketë parlament?
Shumë i dobët. Një parlament që mungon debati. Mungon individualiteti, personaliteti i parlamentarëve, i cili ka munguar edhe më parë, por tani mungon fare. Parlamentari është njeri i pavarur, i cili nuk mund të dalë kundër interesave të shoqërisë së vet. Ky është deputeti. Nuk kam parë gjë të tillë në një parlament. Niveli intelektual është shumë i dobët, shumica janë me diplomë Kristali apo me diplomë nga universiteti i Tetovës. Niveli intelektiv shumë i dobët. Politika e kthyer në një rutinë personale; parlamenti një entitet që nuk i shërben qëllimit të vet.
Pse kemi arritur deri në këtë pikë? Pse duhen bërë listat me njerëz analfabet?
Po të analizosh Enver Hoxhën, ai ishte ithtar i vlerave minimale, se ishte diktator. Unë dhe s’ka tjetër! E shikonte intelektualin e nivelit të lartë si armik. Të njëjtën gjë mund të thuash edhe për Saliun, ithtar i vlerave minimale. Nano ishte liberal; nuk mund të thuash se qe ithtar i vlerave minimale, por nuk shkëlqeu për të krijuar një staf. Pra, edhe ai nuk para i donte intelektualët e nivelit të lartë. Rama po më rezulton ithtar i vlerave minimale.
Vjen kryeministër dhe thotë nuk më duhet stafi! Pse? Sepse mund të shkëlqejë njëri dhe më rrëzon! Dhe harron se kështu të shqyen populli. Për çfarë e do pushtetin kur nuk di të bësh gjë?! Këta bënë një gabim që nuk varet prej tyre: trokitën në derën e BE-së. Do t’i dëgjojnë tani sherrin personal dhe përfitimin do ta marrë shoqëria shqiptare.
Trokitën atëherë kur nuk duhej?
Ishin të detyruar. Tani shqiptarët presin t’i fusësh në Europë. Europa thotë: për të hyrë nuk dua korrupsion! Dhe shqiptarët po ndërgjegjësohen se këta nuk duan të hyjnë në Europë, porse duan të na vjedhin.
Opozita po drejtohet nga Lulzim Basha. Keni ndonjë gjykim për drejtimin tij, çfarë është ajo parti sot?
Asgjë! Një turmë njerëzish që edhe nëse ka vlera brenda, vlerat janë të mbytura dhe llomotisin fjalë si papagaj. Është një parti papagajsh. Ata që dalin, përsërisin fjalët e Saliut. Ka shumë që nuk dalin. E kuptojnë se nuk është ajo opozita. Donin të bënin kryengritje që të sabotonin reformën në drejtësi. Idiotësi! Çfarë kryengritje do të bësh! Çfarë revolucioni! Meqë nuk ju doli gjë revolta popullore, tani sabotojnë në parlament. Të shikojmë çfarë do të bëjnë. Opozita nuk ka skemë që të bëjë për vete, jo ata që i ka fanatikë, por as ata me të cilët kërkon të bëjë shtresën për të ardhur në pushtet. Nuk e bën dot ai këtë, kryetari i tyre është i pabesueshëm. Kryetari ende nuk ka shpalosur se sa vlen, sepse akoma flet si Saliu.
Jeni njohur me zhvillimet më të fundit në Kosove. Çfarë po ndodh atje?
Situata jo e mirë. Kjo tregon se jemi vërtet një popull. E vetmja provë që na dha Kosova është se ne jemi një popull i pandryshueshëm nga njëri-tjetri, pavarësisht se ata kanë qenë 100 vjet larg nesh. Ky ishte testi për të provuar se neve nuk na kanë ndarë, por tregon se jemi të prapambetur në optikën politike. Nuk i shërben të ardhmes sonë. Është egoizmi individual që shkatërron prosperitetin shoqëror, e njëjta sëmundje që kemi edhe këtu. Kur merr përsipër mandatin për të qeverisur do të thotë që t’i çosh në zhvillim jo në dekadencë. Derisa merr pushtetin jemi në rregull, pasi merr pushtetin t’i kontrollohesh. Ti je skllav i pushteti apo skllav i interesit shoqëror; ndërsa ti je skllav i pushteti tënd, s’ke lidhje me interesin shoqëror. Këtë ka treguar politika 100 vjet këtu dhe këtë po tregon edhe në Kosovë që kur erdhi pavarësia.
Tesheshi.com