Admir Mehmedi ka shënuar shtatë gola në edicionin 2015-16. Por nuk janë vetëm golat e këtij edicioni që sulmuesin shqiptar e lidhin me numrin shtatë. Shtatë është edhe numri i gjuhëve që flet Mehmedi. “Pas karrierës si sulmues, Mehmedi mund të punojë si përkthyes”, transmeton Koha Ditore shkrimin e gazetës së njohur gjermane “Bild”.
Mehmedi ka lindur në Gostivar të Maqedonisë, ndërsa është rritur në Zvicër. Është reprezentues i Zvicrës, ndërsa tani po luan në Gjermani për skuadrën e madhe Bayer Leverkusen. Më herët ka luajtur edhe në Ukrainë te Dynamo Kievi.
24-vjeçari këtë edicion ka shënuar dy gola në Bundesligë, në 17 paraqitje. I ka edhe katër asistime. Në Ligën e Kampionëve në pesë ndeshje ka realizuar katër gola. Në kualifikime për Champions, Mehmedi e gjeti portën një herë në dy ndeshje.
“Admir Mehmedi i Leverkusenit është gjeni për gjuhë në mesin e lojtarëve të Bundesligës. Lojtari nga Zvicra flet shqipen, gjermanishten e Zvicrës, italishten, rusishten, frëngjishten, anglishten dhe gjermanishten”, ka shkruar “Bild”.
Mehmedi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, ndërsa është paraqitur edhe në Lojëra Olimpike. Ka shenuar tre gola me Zvicren dhe pati periudhë të vështirë te Dynamo në Ukrainë, kurse shpërtheu për Freiburgun. Nga Freiburgu kaloi te Leverkuseni, ku vlerësohet si lojtar shumë i rëndësishëm për repartin ofensiv.