Zbulimi i ambienteve të mbyllura për Policinë e Shtetit është falë përdorimit të teknologjisë. Shefi i sektorit kundër narkotikëve në Policinë e Shtetit, Rezart Velmishi, thotë se trafikantët tentojnë të gjejnë forma të tjera të kultivimit të kanabisit.
“Falë teknologjisë që përdorin, dronët, monitorimet ajrore me avionë-helikopterë deri në metodat speciale të hetimit që janë më të avancuarat jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë globin”.
Velmishi rendit dhe disa institucione që po e ndihmojnë policinë për të zbuluar banesat e kthyera në laborator kanabisi.
“Jo vetëm me OSHEE, por mund të them me prefekturat, bashkitë, pushtetin lokal. Do të përmendja në mënyrë të veçantë bashkëpunimin me SHISH, SHÇBA, prokuroritë e rretheve”.
Ndërsa ekspertët e sigurisë shprehen se grupet kriminale tashmë janë duke përdorur metoda të reja, për kultivimin e drogës në ambiente të mbyllura.
“Janë dy veçori që po vihen re dhe nuk premtojmnë më që mund t’I zbulosh kaq kollaj këto grupe kriminale nëpërmjet energjisë elektrike dhe ujit. Janë disa preparate që nuk shfrytëzojnë më rrjedhjen e ujit, por kondensimin duke reduktuar në maksimum konsumin e tij. Kanë ndryshuar llambat, tashmë janë të një teknologjie që harxhojnë shumë pak, në mënyrë minimale sa ç’mund të harxhonte ndriçimi I një llambe 40-vatëshe”.
Ervin Karamuço, shprehet se sugjeron për Policinë e Shtetit të bashkëpunohet me operatorët që bëjnë shitjen e sendeve që përdoren kryesisht për laboratorët e kanabisit.
“Sendet që vihen në përdorim, tubacionet, llambat, përçues të energjisë elektrike, gjithçka”.
Gjatë ditëve të fundit, në Sarandë, Tiranë dhe Shkodër, u zbuluan 4 laboratorë të kultivimit të bimëve narkotike.
/a.r