Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka komentuar sot zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Teksa ka shprehur mbështetjen e saj për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahinë, ajo u shpreh se edhe pse i kishte të gjitha avantazhet për t’u përzgjedhur fituese nga primaret u tërhoq për t’i hapur rrugë duke i dhënë mundësinë edhe kandidatëve të tjerë. Ademi tha se angazhimi qytetar do të sjellë një garë të fortë por dhe me kulturë për qytetin e Shkodrës.
“Zgjedhjet që ndodhin tani janë të jashtëzakonshme sepse situata politike ku ndodhemi implikuan këto zgjedhje dhe kjo është arsyeja e parë dhe të jashtëzakonshme për faktin se vakancat e krijuara nga zgjedhjet e 2019 sollën domosdoshmëri për zgjedhje vendore për një pjesë të mbetur të mandatit që në fakt do të duhet të kishte ndodhur që më parë. Konteksti është domethënës në atë çfarë do të jetë vendimmarrja në këto 6 bashki dhe nga ana tjetër mendoj se është dhe një vullnet për të vijuar atë që ne kemi krijuar për një eksperiencë të mirë në bashkinë e Shkodrës.
Gara është një garë dhe gjithmonë aq më tepër në Shkodër kështu ka qenë gjithmonë dhe banorët e Shkodrës janë njerëz aktive ne marrim pjesë në mënyrë aktive dhe angazhim për vendimmarrje politike këtë e kemi dëshmuar gjithmonë. Sinergjia e zgjedhjeve lokale dhe vendimmarrja politike në Shkodër merr një kuptim tjetër sepse Shkodra e ka pasur gjithmonë ku qytetarët vendosin se çfarë është më e mira.
Të gjithë duhet të konkurrojmë për vlerat që kemi dhe e kam shpjeguar dhe po e riqartësoj dhe njëherë se shtëpia e lirisë organizoi një proces primar për të përzgjedhur kandidatët më të mirë, në këtë kontekst ky proces demokratizimi që synon për të rritur dhe rithemeluar një opozitë merr parësinë që e ndihmon vendimmarrjen e qytetarëve për të zgjedhur sepse bazohet te liria për të vendosur se cili është më i mirë. Unë duhet të kisha avantazhin, puna ma jepte janë disa pikë që vetë pozicioni të jep avantazh do kisha avantazhin për të fituar primaret, por kam zgjedhur që të tërhiqem për ti hapur rrugë dhe të tjerëve.”, u shpreh ajo.
Më tej Ademi ka renditur edhe tre faktorët e mundshëm që i japin fitoren një kandidati, ku veçoi mbështetjen politike pa të cilën ajo tha se askush nuk do arrinte dot të fitonte, ndërsa shtoi se Bardh Spahia e ka.
“Tre faktorë përcaktojnë fitoren e një kandidati, mbështetja popullore, mbështetja e të gjithë familjes njerëzve të afërt bashkëpunotërove, mbi të gjitha mbështetja politike. Kushdo që kandidon pa mbështetje politike është një nga gurët e themelit për të pasur sukses në atë që bën, prandaj mbështetja politike që Spahia ka është një avantazh për atë vetë, Shkodrën dhe avantazh dhe shpresë për njerëzit.”, tha Ademi.
/b.h