Policia britanike ka arrestuar katër persona si pjesë e krimit të organizuar që kalonin ilegalisht qindra shqiptarë për në Britaninë e Madhe. Dy gra të moshës 27 dhe 29 vjeç, një 22 dhe një 34-vjeçar u vendosën në pranga në zonën Beckenham në juglindje të Londrës. Arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi të gjatë të rrjetit të trafikimit të qenieve njerëzore për të cilin hetuesit besojnë se drejtuesit e këtij rrjeti përdorin kamionë dhe furgonë të marrë me qira për të kaluar shqiptarët nga Franca veriore drejt Anglisë.
Të arrestuarit janë pjesë e rrjetit që u goditën korrikun e vitit të kaluar. Grupi dyshohet se ka pasur kontakte në të gjithë Evropën; në Francë, Gjermani, Holandë dhe Poloni. Emigrantët besohet se i kanë paguar midis 20 dhe 25 mijë paund për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërkaq, katër të dyshuarit e fundit u arrestuan më 9 shkurt për kalim të emigrantëve në mënyrë të paligjshme. Pasi u morën në pyetje, të katër të arrestuarit u lanë të lirë me kusht duke u mbajtur nën hetim, thuhet në njoftimin e Agjencisë kundër Krimit të Organizuar në Britaninë e Madhe.
“Kjo është faza e dytë e arrestimeve si pjesë e këtij hetimi. Ne besojmë se kemi ndërprerë ndjeshëm një rrjet të madh të krimit të organizuar, ku përfshihet kalimi në mënyrë të paligjshme i një numri të madh njerëzish për në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo demonstron vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka që mundemi për të ndaluar bandat kriminale që kërcënojnë sigurinë e kufirit të Britanisë së Madhe dhe i trajtojnë emigrantët si një mall për të përfituar para”, u shpreh Richard Harrison, shefi i Agjencisë kundër Krimit të Organizuar në Britaninë e Madhe.
g.kosovari