Zyrtarë të të gjitha niveleve duhet të paguajnë nga xhepi i tyre dëmet e shkaktuara në buxhetin e shtetit, pasuritë publike, në mjedis etj., për shkak të veprimeve të tyre të paligjshme, mosveprimit, shpërdorimit të detyrë apo aferave korruptive. Kështu parashikon një projektligj i depozituar në Kuvend në 8 shkurt 2022 nga deputeti Bujar Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe njësisë e auditimit të brendshëm konstatojnë çdo vit dëm ekonomik, të ardhura të munguara dhe keqmanaxhim të pasurive publike me kosto qindra milionë euro, dëm i cili nuk rikuperohet, pasi një kompetencë të tillë e ka vetëm gjykata, një procedurë që zgjat me vite dhe madje me dekada.
Nisma ligjore synon pikërisht të adresojë këtë fenomen, duke u ngarkuar drejtpërdrejt zyrtarët që kanë shkaktuar dënimin ekonomik, faturën e kthimit të parave në buxhetin e shtetit. Neni 4 i projektligjit parashikon që çdo punonjës publik, i cili gjatë punës ose jashtë saj, me dashje ose nga pakujdesia, i shkakton një dem pasuror interesave të subjektit publik, është i detyruar të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Projektligji për përgjegjësinë financiare të punonjësve publike, përjashton nga përgjegjësia financiare vetëm gjyqtarët dhe prokurorët.
Dëmet që duhet të kompensohen përfshijnë vendimmarrjet e paligjshme, dëmet me pasoja penale, të shkaktuara në gjendje të dehur apo nën efektin e drogës, nga moszbatimi i vendimeve të gjykatave, nga mohimi i të drejtave pasurore, përfitimet e padrejta si dieta dhe shpërblime, nga mungesa e inventarit të aseteve, nga sjelljet korruptive, vendimmarrjet e gabuara të anuluara nga gjykata, blerja e mallrave në mënyrë të panevojshme, nga moszbatimi i kontratave, dhënia e shpërblimeve të padrejta, emërimet dhe shkarkimet e padrejta, dëmtimi i pasurive publike, përdorimi i aseteve publike për interesa private etj.
Neni 13 i ligjit parashikon që përgjegjësisë financiare nuk do t’i shpëtojnë as ish zyrtarët, pra funksionarët që janë larguar nga detyra, por që dëmi financiar i shkaktuar prej tyre, zbulohet pas largimit nga detyra.
Kush do të caktojë përgjegjësinë financiare?
Kur dëmi është shkarkuar nga titullarët organeve publike, procedurat e caktimit të përgjegjësisë financiare kryhen nga Avokatura e Shtetit, sipas rregullave të hollësishme. Kur dëmi është shkaktuar nga krerët e kompanive, ku shteti zotëron më shume së 50 % të
aksioneve, përgjegjësinë financiare e cakton Bordi, Këshilli Drejtues i Ndërmarrjes apo Këshilli i Njësisë Qeverisjes Vendore, i cili vendos me shumicë të thjeshte votash të anëtareve të pranishëm. Kur dëmi është shkarkuar nga bordet, këshillat drejtuese, apo këshillat e njësisë së qeverisjes vendore, përgjegjësinë financiare e cakton Avokatura e Shtetit.
Si përcaktohet dëmi financiar?
Baza kryesore për përcaktimin e dëmit financiar janë raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por, përgjegjësia financiare vendoset edhe në bazë të vendimeve të gjykatave të formës së prerë, raporteve të strukturave të financës, auditimit të brendshëm dhe çdo informacioni zyrtar që vërteton shkaktimin e një demi pasuror ndaj subjektit. Meqenëse nisma ligjore nuk është propozuar nga qeveria, mbetet për t’u parë qëndrimi i maxhorancës për këtë projektligj./ Adriatik Doci-shqiptarja.com