Ish-Kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Premtim Kryemadhi, ka thënë se Dibra nuk do të përmbytet kurrë. Lideri historik i demokratëve ka thënë se nuk është kundër ndërtimit të hidrocentraleve, por kundër përmbytjes së fshatrave, duke iu referuar projektit te Skavicës.
“Në Dibër vendos pa pyetur fare banorët, pa pyetur qytetarët të përmbysë pothuajse në tërësi tokat e saj pjellore, të zhvendosë fshatra të tëra, shkolla, teqe, xhami, varreza. Të varrosë histori të madhe të Dibrës pa pyetur njeri përsëri. Meqë jemi këtu dua t’ju bëj një shpjegim, ajo nuk mund të ndodhë kurrë. Që të përmbytet Dibra nuk do të ndodhë kurrë. Dua t’ju sqaroj, në vitin 2005 Fatos Nano kishte firmosur me një kompani të madhe italiane kontratën për ndërtimin e Skavicës. Erdhi kompania, i them unë nuk e pranoj këtë. E para e ke marrë pa tender dhe pa tender nuk pranoj gjë. E dyta nuk pranoj në mënyrë absolute tokat e Dibrës. Italiani ishte serioz dhe megjithëse kishte bërë kontratën me kryeministrin, e vërteta është se kishte shkuar në parlament kontrata, ke të drejtë më tha. Nuk pranoj unë të zhvendos fshatra. Ai bëri një projekt shumë të mirë pa përmbytje. Merrte Drinin në Skavicë dhe e nxirrte afër Bicaj. Ai ishte projekti. Unë nuk jam kundër ndërtimit të HEC-eve, por jam kundër përmbytjeve të fshatrave”, tha Berisha.
Ish-kryeministri u shpreh se me ndërtimin e projektit fatkeqësia e qytetarëve bëhet më e madhe, ndërsa bëri thirrje që të përqendrohet fokusi në energji të tjera siç është ajo diellore. Një thirrje e pati edhe per kandidatin e PS-së.
“Ai kandidati që ka sjellë nga Tirana, ai të dalë njëherë para jush dhe të japë llogari për Skavicën dhe projektin e tij ose të kthehet nga ka ardhur”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se Rama ka trashëguar psikologjinë më të keqe të etërve të tij dhe shtoi se për shkak të arrogancës nuk pyet asnjë njeri.
“Përballet arroganca, e një njeriu që ka trashëguar psikologjinë më të keqe të etërve të tij. Një njeriu që mendon se me dibranët, me shkodranët, me durrsakët, me gjirokastritët, me korçarët mund të sillet si të dojë, mund të marrë çdo vendim që do, sikur ata të mos ishin anëtarë të këtij kombi dhe kësaj shoqërie, të mos ishin me djersën e ballit, me taksën që paguajnë për çdo gotë uji që pijnë, aksionerë me të gjitha të ardhurat e këtij vendi. Vij sot këtu dhe 3 ditë më parë isha në Durrës. Durrësit me një vendim paranojak të verbër korrupsioni, ka vendosur t’i bëjë atë që s’i kanë bërë 3 mijë vite as pushtuesit më të egër, t’ia heqë portin sepse do të ndërtojë një ndërmarrje miliarda euro për të larë paratë e tij të drogës dhe ka marrë në qerre edhe “Lul Bravën”. Por a mund të merret një vendim të tillë? Pa pyetur asnjë qytetarët, pa marrë asnjë pëlqim të tyre, sikur vjen një pushtues i huaj dhe s’do të merret vesh me ta.
Nga vlora më njoftojnë se ka ngritur gjithë sheshin e Flamurit. Çfarë do bëjë? Xhepat e tij e dinë se mendja e tij udhëhiqet vetëm nga xhepat. Se sa do shpenzojë në atë shesh asnjë vlonjat nuk e di. Çfarë bëhet me sheshin e flamurit i cili duhet të ishte objekt diskutimesh jo vetëm për vlonjatët, por për mbarë shqiptarët. Por arroganca e etërve të tij që e ka pushtuar në çdo qelizë e bën që të mos pyesë njeri”, tha Berisha.
/a.r