Në një kohë kur Gjykata e Tiranës ka hedhur poshtë votimet e kryera në Shoqatën Rajonale nga Armando Duka zërave kundër listave fiktive, të manipuluara, e jo transparente nga FSHF e drejtuar prej tij i shtohen edhe emra me peshë në historinë e kombëtares shqiptare të futbollit.
Sulmuesi më i famshëm, ish futbollisti i kombëtares Erjon Bogdani, duke folur për herë të parë mbi këtë temë në një intervistë ekskluzive për emisionin “Sport News” në “News24”, u shpreh se ka ardhur koha për ndryshim pas 20 vitesh që Federatën Shqiptare të Futbollit e drejton një njeri i vetëm.
“Është mëse e drejtë që pas 5 mandateve ose pas 20 viteve në krye të futbollit shqiptar mendohet ose pritet nga të gjithë ndryshimi. Vetë jeta përbëhet nga ndryshimet e gjeneratës, sikurse ka ndryshime jo vetëm në jetë por edhe në institucione, apo politikë,” u shpreh Bogdani.
Ai tha se është shumë e rëndësishme që për drejtuesin e ri të Federatës së Futbollit të ketë zgjedhje transparente.
“Shpresoj që këto zgjedhje të jenë sa më transparente, sa më të drejta. Nuk kam qenë në Shqipëri por lexoj që ka shumë probleme në zgjedhjet dhe të zgjidhen sa më shumë probleme e ta fitojë kush është më i miri,” tha sulmuesi./m.j