Nga Artur Ajazi
Lulzim Basha e votoi zgjatjen e Vettingut, dhe i bashkoi votat me Partinë Socialiste.Para se të futej në Parlament, ai dha disa deklarata para gazetarëve, ku sqaroi se “ne do ta votojmë zgjatjen e Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët, sepse këtë na e kërkon faktori ndërkombëtar, jo Edi Rama”. Gjithashtu ai tha se “kjo i shërben drejtësisë së re”. Duket sikur Lulzim Basha ka marrë “garanci” të plota nga dikush. Dhe kjo ka nisur nga 9 Shtatori 2021, dhe vazhdon akoma dhe sot. Ka marrë garanci se “nuk do të ketë pasoja penale dhe politike thirrja në SPAK, apo dhe thirrja në prani të prokurorëve belgë”.
Ka marrë garanci se “nuk do të ketë pasoja për çështjen e 3.4 milion eurove që u gjendën tek “Toyota Yaris”, pasi duhet të kujtojmë se ishte njeriu i parë që në foltoren e Parlamentit tregoi datën, ditën, orën, tipin e maikinës dhe sasinë e parave, që do të mbërrinin nga Belgjika në postin e Durrësit, si “para trafiku”. Kush do të kishte guximin të fliste dhe të tregonte hollësira të tilla kompromentuese, dhe nuk do të ishte marrë menjëherë i pandehur, qoftë ky deputet, ministër apo kryeministër në çdo vend demokratik ? Por ja që kjo ndodh në Shqipëri, në vendin e çudive, absurdeve, në vendin ku politikani vjedh, vret, rrëmben, akuzon, i shmanget përgjegjësisë ligjore, dhe krenohet se sfidon drejtësinë. Ai gjithmonë flet si “kryetar PD-je”, por kjo nuk do të thotë se ka shmangur romuzet e Edi Ramës që e quan me të drejtë “kryetar rezervë”, dhe Partinë Demokratike “të ndarë në dysh”. Lulzim Basha duket sikur nuk e ka shumë vëmëndjen tek 6 Marsi, se sa tek vendimi i gjykatës, që do të përcaktojë fatin e tij si kryetar partie. Gjithashtu ai, më i interesuar është tek zbatimi i porosive që i vijnë nga mbështetësit ndërkombëtarë, dhe votimi për zgjatjen kohore të procesit të Vettingut, ishte vetëm fillimi. Tashmë roli dhe misioni i opozitës në Parlament jo vetëm që është zbehur, por dhe kompromentuar. Pranon apo nuk pranon Lulzimi, fakti është se “sot ka dy Parti Demokratike”, dhe kjo do të thotë jo vetëm kosto elektorale për atë forcë politike, por dhe dobësim i pozitës së tij si kryetar partie.
Nuk e besoj se, edhe ata që ai mban sot rreth vehtes, t’ja falin një humbje të re në zgjedhje, qofshin këto edhe ato të 6 Marsit. I pari do të largohej Gazi, Grida, Agroni, Salianji, dhe shumë të tjerë. Përpara Lulzimit, shtrohen për zgjidhje urgjente disa problematika, të cilave ai nuk besoj se do ti japë zgjidhjen e duhur. Së pari, i duhet një “aleat” i fuqishëm, që ta mbështesë potencialisht në iniciativat dhe aksionet opozitare. Së dyti i duhet një sigurojë mbështetjen e bazës, të cilën e ka në pikën më të dobët të 8 viteve. Së treti, i duhen disa “fitore” (bashki) në 6 Mars, për të ndryshuar imazhin dhe mendimin e krijuar si “humbës serial zgjedhor”, dhe për të patur të drejtën morale ti kërkojë zonjës Kim mbështetjen amerikane. Kjo për faktin sepse, amerikanët nuk mund të jenë ortakë dhe solidarë me humbës zgjedhjesh, dhe politikanë që nuk gëzojnë rreputacion dhe karizëm në partinë e tyre.
Një tjetër problem që ka sot Lulzim Basha është fakti se, ai nuk mund të drejtojë i qetë dhe i sigurtë atë parti, kur veç selisë, (godinës) dhe vulës, gjithçka duket e ndarë në dy pjesë, strukturat, forumet, anëtarësia, mbështetja, etj, mes tij dhe Berishës.Edhe pse Basha thotë se “PD po çlirohet nga çdo lloj kompleksi për gabimet e veta” nuk është e thënë se ai, do të rehablitohet lehtë ndaj atyre që ka bërë deri në 9 Shtator me ish-liderin historik.