Ish drejtuesi i Prokurorise së Apelit nga 2008-2014, Shkëlqim Hajdari dhe kryetari i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, ka ankimuar vendimin e transferimit të tij në Gjykatën Administrative të shkallës së parë në Tiranë. Ankimimi ka të bëjë me transferimin e tij nga Prokuroria e Apelit në Tiranë, në prokurorinë e rrethit gjyqësor Shkoder.
Sipas burimeve, momenti i trasferimit të Hajdarit është bërë në dhjetor, kohë e cila përkon me mbështetjen e fortë në tryezat e organizuara për reformën në drejtësi, në prani të ekspertëve të nivelit të lartë dhe ambasadorëve Lu dhe Vlahutin.
Paralelisht me trasferimin e Shkëlqim Hajdarit, është krijuar edhe Unioni i Prokurorëve, i cili me datë 9 janar, në prani të Ministrit të Drejtësisë, u tregua shumë kritik me reformën e pritshme në prokurori. Vlen të shënohet se Hajdari, doli në kritika të forta në mediat e huaja, ditët e fundit, ndaj punës së prokurorisë dhe në lidhje me nevojën urgjente të reformimit të të gjithë sistemit.