Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku tha se, “sot në mbledhjen e qeverisë kemi paraqitur tre projektvendimi, dy nga të cilat i përkasin procesit të shpronësimeve të cilat ndihmojnë në ecurinë më shpejt të projekteve në qendrat e qyteteve për programin e Rilindjes Urbane”.
Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Balluku theksoi se, “akti më i rëndësishëm që paraqitëm sot në qeveri, ishte projektvendimi për miratimin e programit shtetëror të sigurisë në operimin e aviacionit civil”.
Sipas saj, ky projektvendim ka si objekt rritjen e sigurisë në aviacion, që është një nga fushat më të rëndësishme në ekonominë e vendit.
“Shqipëria në 3 vitet e fundit ka bërë një hap kualitativ të jashtëzakonshëm në aviacion civil, duke nisur me ndërtimin e aeroportit të Kukësit, që tashmë prej kohësh është operacional, teksa e kemi parë që javën e fundit kompania WizAir është angazhuar që së bashku me kompanitë e tjera të rrisë skedulën duke duke nisur nga data 1 maj me katër fluturime në destinacione të ndryshme, duke e bërë kështu aeroportin e Kukësit plotësisht funksional dhe konkurrent me aeroportin e Tiranës dhe si rrjedhojë uljen e çmimit të biletave që sot po t’i referohemi destinacionit të Lodrës, dikur me 700 euro sot qytetarët shqiptar dhe ata të huaj mund të fluturojnë nga aeroporti i Kukësit vetëm me 70 euro dhe më pak”, tha Balluku.
Ndërkohë, vuri në dukje ministrja, nisja e kantierit në aeroportin e Vlorës është një hap shumë i rëndësishëm për aviacionin tonë dhe pason serinë e projekteve turistike që qeveria ka nisur në zonën e Rivierës Jugore.
“Rruga e Lumit të Vlorës dhe tunel i Llogarasë janë dy investime të rëndësishme me ndikim në rritjen ekonomike të zonë së jugut, por edhe të Shqipërisë”, tha Balluku, teksa informoi se, “po ashtu janë shtuar linjat ajrore të kompanisë Air Albania , jo vetëm në Europë por edhe në kontinente të tjera, nga aeroporti i Tiranës, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm, krahas investime në zgjerimin e aeroportit të Tiranës dhe ngritjen e terminalit të ri dhe të pistës, që do të shtojnë fluturimet transoqeanike”.
Balluku deklaroi se “VKM që miratuan sot, do t’i japë mundësi rritje së sigurisë ajrore duke i dhënë mundësi Autoritetit të Aviacionit Civil, që të ndjekë nga afër dhe me përgjegjësi të gjithë operatorët që ofrojnë shërbimin e aviacionit civil dhe për të dhënë dhe ‘penalltitë’ e duhura kur ka shkelje”.
/b.h