Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar Tiranën gjatë kohës që ishte kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Akuzat e demokratëve vijnë pas konferencës së Ramës për territorin.
“Shkatërruesi i Tiranës për 11 vite, ai që mbolli pallate duke ndjekur 20 përqindëshin e duke nëpërkëmbur qytetarin, ai që kur Tirana më në fund u bë me plan zhvillimi e bllokoi atë, ai që i mohoi qytetarëve mijëra vende pune duke ndalur investimet strategjike dhe historike në kryeqytet, Edi Rama, ka sot kurajon dhe fytyrën të dalë e të mbajë leksione për territorin.
Sipas PD-së, Rama gëzon miliona euro të përfituara nga ryshfetet për dhënien e lejeve të ndërtimit të pallateve.
“Njeriu që gëzon sipas institucioneve ndërkombëtare, 200 milionë euro ryshfete pallatesh, ky që lejoi ndërtuesin e tij personal të kafshojë Parkun e Tiranës, ky që lejon Kokëdhimën të zaptojë bregdetin, ky që i jep Besos së tij nëntokën e Parkut Rinia; ky që bekon ndërtimin pa leje të zonës muzeale të Tiranës nga Xhillari i tij, ky që ka planifikuar tenderin tjetër korruptiv për tjetërsimin e Stadiumit Kombëtar me klientët e tij, ky që ka shtrirë tentakulat e interesave të tij personale e financiare në çdo tokë e truall me anë të firmave dhe studiove të tij, del sot e propagandon për zhvillimin e territorit. Edi Rama e ktheu bashkinë në laborator të kalkulimeve politike personale e financiare, në lavatriçe të larjes së parave të krimit të organizuar dhe bandave të lidhura me të. Ai nuk mbajti kurrë përgjegjësi për krimet në territor e në mjedis duke korruptuar e blerë Strakoshat e tij në gjyqësor e prokurori. Teksa del e predikon të kundërtën e saj që ka bërë vetë që ditën e parë në pushtet, Edi Rama me shfaqjen e radhës po fsheh një pazar tjetër të madh me të ashtuquajturin plan të zhvillimit të territorit”, thuhet në reagim.