Analisti Lorenc Vangjeli ka deklaruar se Saimir Tahiri i arrestuar 4 ditë më parë, ka informacione për politikanë të tjerë, të cilat sipas tij i ka grumbulluar gjatë kohës që ka qenë ministër i Brendshëm. Nga studio e emisionit Opinion në Klan, Vangjeli tregoi se Tahiri ka informacione për persona që kanë vese, duke përmendur këtu performanca seksuale.
“Tahiri vërtetë po e gdhin në qeli tani, por ka shumë të tjerë shokë të tij në të majtë e në të djathtë që po e gdhijnë pa gjumë. Sepse standardi që u vendos, kjo stekë që u vendos në këtë pikë, kjo masë kostumi që u qep kostum nga ata me vija, i rri në mënyrë perfekte çdo politikani të të shkuarës.
Saimir Tahiri ka tentuar të flasë me gjuhën e Kasandrës. Saimir Tahiri mendonte se pushteti është informacion, dhe pushteti është vërtetë informacion. Por tentoi të bëjë një kohë tjetër duke qenë në vendin e duhur por me mjetet e gabuara, të bëhet mbartës i informacionit. Sot heshtja e Saimir Tahirit në qeli në burg shqetëson ca njerëz të cilët kanë fituar para në mënyrë të pandershme dhe Saimiri i di.
Di shumë për vese vetjake, di shumë për marrëdhënie të papërshtatshme apo dhe për performanca seksuale. Ka mbledhur në mënyrën e tij materiale të cilat ai mendonte se do t’i përdorte ndaj kundërshtarëve politikë dhe ndaj kolegëve të tij në politikë. Në qoftë se Saimri Tahiri flet, do të ishte sikundër e ka lënë të kuptohet disa herë por nuk e ka bërë asnjëherë, do të ishte për të mësuar jo thjesht të fshehta të nëntokës tonë, por për të parë veset e atyre që pretendojnë se janë lart”, deklaroi Lorenc Vangjeli.
/a.r