Në rrëfimin e tij për jetën e Tinka Kurtit në “Ditari i një bashkëshorti”, Paloka ka ruajtur çdo kujtim të aktores. Mbi 300 role të portretizuara, përgatitje, shfaqje, mbajnë peshën e një emri të madh që janë shfaqur më së miri në ditarin-album të sjellë nga gazetarja Anila Mema.
Teksa tregon më shumë detaje mbi këtë libër të veçantë mbi Tinkën në emisionin “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Anila ndalet edhe në sfidat e Tinkës në jetën e saj teatrore.
Anila Mema: Ka padiskutim gjëra shumë interesante ku flitet se si për një fije të hollë, ajo mund të mos ishte aktorja që është sot.
Orinda Huta: Trego një rast.
Anila Mema: Shfaqja “Kopraci”. Në shfaqjen “Kopraci” e kishin marrë vetëm për të dubluar një rol, do të shkonte në Durrës me turne dhe kolegët, ashtu sikurse regjisori nuk e përfillnin, nuk e shihnin si një aktore me shumë vlera. Ajo e shpjegon dhe vetë në mendimet e saj në ditar që deri në atë moment më thoshin “është një e patalentuar”. Në shfaqje kishte asistuar edhe Mehmet Shehu që e kishte parë dhe pasi kishte përfunduar shfaqja, kishte pyetur “kush është ajo vajza e re bionde?” I kishin thënë “një vajzë që e kemi marrë për ta provuar”. “Atëherë jepini dorën dhe ta përgëzoni sepse ajo do të jetë artistja e ardhshme e Shqipërisë”. Dhe nga ai moment, të gjithë ata që kishin folur më përpara dhe kishin thënë gjëra të tjera, shkojnë, e urojnë, e përgëzojnë dhe i thonë krejt të kundërtat e çfarë kishin thënë më parë.
/a.r