Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilëson vizitën dhe mesazhet e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, si një sinjal se FSHF duhet të mbajë zgjedhje transparente dhe të drejta. Sipas Veliajt, zgjedhjet në FSHF duhen shtyrë derisa premtimi i Ceferin për të sjellë në Tiranë një ekip të UEFA-s, që adreson të gjitha falsifikimet të mbarojë punë. Ai shtoi se vetë Ceferin e ka kufizuar mandatin e tij në 3 mandate dhe ky model duhet të ndiqet edhe nga FSHF.
“Ceferin ka dhënë vetë shembullin model. Ai e ka caktuar vetë se Presidenti i UEFAs nuk mund të ketë më shume se 3 mandate. Pra, po ke për të dhënë diçka, nëse nuk i jep në 12 vjet, nuk ke më çfarë jep. Për këtë arsye do të doja që modeli i tij të ndiqej edhe këtu. Fakti që këta thonë – ‘jo, unë dua herën e 6-të’, kur Ceferin ia ka vënë kufirin vetes deri në 3 herë, do të thotë se ata nuk kanë respekt për Ceferin. Ata thjesht duan ta përdorin dhe më vjen mirë që ai nuk u përdor,” u shpreh Veliaj në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në “News 24”.
Kreu i Bashkisë theksoi faktin se vizita e Ceferin provoi se beteja për fair play ne FSHF ia ka vlejtur. “Zgjedhjet në FSHF duhen shtyrë derisa premtimi i Ceferin për të sjellë në Tiranë një ekip të UEFA-s që adreson të gjitha falsifikimet të mbarojë punë dhe të pyesin: ‘Pse nuk e botoni listën e delegateve?’; ‘Kush voton?’; ‘Pse janë njerëz që nuk kanë lidhje me sportin?’; ‘Pse hiqni internetin e nuk lejoni njerëzit të komunikojnë?’; ‘Pse nuk është media aty, që ta pyesë atë lavazhierin: “O shok, ti je nga Shijaku, çfarë do këtu në zgjedhjet e Tiranës?” “Ti tjetri, që je roje te pularia, për çfarë je këtu?”
“Ti që je kushëriri i tij, për çfarë vjen këtu?”. Fakti që sot, për herë të parë, kemi një angazhim publik për të sjellë vëzhgues nga UEFA që t’i shohin të gjitha këto problematika do të thotë se beteja ia paska vlejtur, se po të mos kishim bërë këtë betejë, vëzhguesit nuk do të vinin,” tha Veliaj.