Nga Lorenc Vangjeli
Avokati Maks Haxhia nuk mund të bënte më shumë për klientin e tij në mbrëmjen e të premtes përveçse t’i dërgonte dy paketa cigare në qeli dhe të ankohej përpara kamerave televizive. Më gjasë, pothuaj të gjithë ata që kanë ndjekur sagën dramatike të rroposjes në ferr të ish-ministrit socialist, mendojnë se Saimir Tahiri u dënua mbi bazën e një perceptimi të përgjithshëm publik për fajësinë dhe jo për krimet që e akuzonin dhe që nuk ju vërtetuan plotësisht përtej çdo dyshimi të arsyeshëm nga hetimi gjyqësor. Më herët, për Tahirin ishte “firmosur” fajësia politike nga partia e tij, e cila e kishte larguar edhe formalisht nga vetja duke gëzuar ata që kishin qenë rivalë me të për zemrën e Ramës dhe duke trishtuar të tjerë që e shihnin atë si një strehë të nesërme kundër vetë Ramës. Nga të rrallët politikanë që mund të ndante opinionin në dysh, mes “dashurisë dhe urrejtjes” për të, Tahiri kishte të firmosur në skedinën e tij personale, edhe fajësinë morale të kthimit të Cannabis-it në një banor autokton në të gjithë Shqipërinë dhe shndërrimin e “pesëfletëshit” në një faktor elektoral vende-vende nëpër Shqipëri.
Këto dy lloj fajësish, janë vetëm “tripleta kryq” që kryqëzojnë politikanin, ndryshe nga qytetari i zakonshëm, me të cilin drejtësia mjaftohet zakonisht vetëm me fajësinë apo pafajësinë penale. Të tjerë personazhe që dinë më shumë se sa thonë dhe nuk thonë kurrë atë që dinë dhe po kështu edhe vetë Tahiri, janë të ndërgjegjshëm se në peshoren që mati fajet e ish-ministrit janë të tjera mëkate. Ndonjëhera prej tyre e cila nuk ka të bëjë thjesht me stilin e tij të jetesës, është shumë më e rëndë sesa gjithë pesha e dosjes së rëndë në ngarkim të tij, përfshi edhe atë që erdhi nga ana tjetër e Adriatikut.
Paralajmërimi publik i bërë vite më parë nga vetë Saimir Tahiri, klithma tronditëse njerëzore me të cilin ai ju drejtua dy gazetarëve, Blendi Fevziu dhe Lorenc Vangjeli në Opinionin e tetorit 2017, se ai mund të shkonte në qeli me po ata njerëz që kishte arrestuar vetë, u realizua si profeci lebetitëse, por duke shmangur disa të vërteta dhe duke pozuar disa keqkuptime lebetitëse që kanë ngatërruar pothuaj cilindo ministër të brendshëm shqiptar. Më e rënda ndër to ishte e vërteta e thjeshtë: Nuk arreston ministri i brendshëm; ministri i brendshëm nuk është kryepolic, siç besonte gabimisht dikur Saimir Tahiri, i cili në ato vite, lojën mes entuziazmit dhe idealizmit, llogarisë së ftohtë dhe ecjes në tel në kufi të shkeljes së ligjit, nuk e kuptoi kurrë se po e luante në jetën reale. Ai nuk mundi të kuptojë se ajo që po bënte nuk ishte një video game në kompiuter; nuk dalloi se personazhet në letra apo video nuk ishin krijesa virtuale, por qënie njerëzore. Saimir Tahirit nuk i shpjeguan se historitë e lexuara shkel e shko të së shkuarës, me ministra të brendshëm që pushteti i informacionit i bënte po aq të pushtetshëm sa vetë Perandori, ishin për të tjera rrethana, për të tjera përmasa dhe për krejt të tjera lloje lojërash; lojëra për të cilat ai ishte në vendin e duhur për t’i bërë, por nuk kishte mundësinë njerëzore, intelektuale e politike që t’i bënte.
Saimir Tahiri gdhiu natën e tij të parë në qeli, por shumë ish-kolegë të tij, nga e majta dhe e djathta, e kanë gdhirë të shtunën pa vënë gjumë në sy. Ndëshkimi, izolimi dhe vetë burgu në thelb, janë instrumenta barbare dhe koncept barbar për cilindo qënie njerëzore, por pa to, fatkeqësisht, gjithë bota do të sundohej nga kaosi dhe do të nështrohej nën vullnetin e më të fortëve. Burgu i saponisur i Tahirit është fakt i kryer tashmë dhe mbi të gjitha, ai duhet të kujdeset tani për shëndetin e tij fizik në kohë dimri dhe pandemie. Ata që kanë mbetur jashtë nga kolegët e tyre, duhet të zgjidhin dilemëm që e ka krijuar vetë Tahiri me të folurën me dy kuptime duke lënë të kuptohej se dinte shumë për miqësitë e papërshtatshme të njërit, për paratë e fituara pandershmërisht të tjetrit, për veset e një të treti apo për performancat seksuale të dikujt tjetër. Secili prej tyre e di më mirë se kushdo tjetër se çfarë ka bërë dhe sesi quhet dërrasa e kalbur ku ka shkelur. Secili nga ta e di më mirë se çdo dosje në hetim e sipër, çdo informacion shërbimesh inteligjente partnere se çfarë ka bërë kur ka mundur ta bëjë. Ata e dinë më mirë edhe se vetë Rama apo edhe se vetë Berisha që pretendon se di gjithçka për të tjerët, por që më mirë se kushdo, di vetëm se çfarë ka bërë Saliu.
Çdokush nga ta e di edhe më saktë se Ambasadorja Kim diagnozën vetjake të mëkateve, që jua bën fytyrën ngjyrë Vishnje, kur kujtojnë dëshmitarët dhe gjurmët e dobësive që kanë lënë pas.
Të premten, gykatësi që urdhëroi dërgimin e Tahirit në burg, e lexoi vendimin pa i lëvizur asnjë muskul në fytyrë. Ka një shumicë të madhe që duhet ta shohë mirë atë portret sepse herët a vonë, ai do të lexojë vendime të ngjashme, të cilët edhe nëse nuk do të bindin puritanët e jurisprudencës, do të jenë tentativa për të sjellë në skenë pushtetin e tretë kushtetues, si aktor të tretë në vend; drejtësinë përballë ekzekutivit dhe legjislativit. Ai gjykatës është thjesht druvari i parë që hyri në një pyll djajsh për të prerë pemët e kalbura. Shumëkush në politikë, përfshi edhe gjithë shoqërinë shqiptare në një krizë të thellë ekzistenciale, e di mirë se të pafajshëm në Shqipëri janë vetëm ata që nuk kanë pasur asgjë në dorë dhe nuk kanë pasur fat që të bëjne faje. Në politikë nuk ka ëngjëj, nuk ka virgjëresha virtyti e pothuaj nuk ka djem nënash që një bir tjetër ku..ve, të mos i gjejë lekë të huaja në xhep. Në politikë ka vetëm një rradhë ku pritet që herët a vonë të vijë rradha!