Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive znj. Armela Krasniqi, së bashku me një delegacion nga AMA ka nisur një tur takimesh në vendet fqinjë për kordinimin e punës për lirimin e brezit të frekuencave 700 MHz.
Në vijim të axhendës së saj, znj. Krasniqi zhvilloi një takim me z. Jeton Akiku, i cili drejton Agjencinë e Komunikimeve Elektronike, në Maqedoninë e Veriut. Gjatë diskutimit, dy drejtuesit u dakordësuan në parim për lirimin e brezit 700 MHz, dhe pas simulimeve përfundimtare do të vijohet me nënshkrimin e marrëveshjes në Tiranë.
Maqedonia e Veriut, i bashkohet Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, të cilët janë dakordësuar parimisht për lirimin e brezit të frekuencës 700 MHz.
Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, znj.Krasniqi u takua edhe me homologët e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMA), z.Zoran Trajçevski dhe Nenkryetar- Selver Ajdiniku me të cilët u diskutua për detyrimet që rrjedhin nga Direktiva 2018/1808 e BE-së si dhe harmonizimi i rregulloreve aktuale me praktikat europiane.
Palët u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave për çështje të përbashkëta që prekin të dy autoritetet.
/a.r