Të tjera detaje rrëqethëse zbardhen nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë mesditë në Shkodër, ku zjarri shkrumboi një banesë, duke i marrë jetën të moshuarit 72-vjeçar Musa Pajati.
Gazetari Senad Nikshiqi rrëfen dëshminë rrëqethëse nga banorët e lagjes, të cilët tregojnë si e shpëtuan gruan, por që nuk mundën të nxirrnin nga flakët të moshuarin.
“Ishin burrë e grua, pa fëmijë, pa askënd në botë. Janë djegur disa herë, askush nuk ka vënë dorë, as shteti, as bashkia. Të dy janë sakatë, unë e shpëtova atë grua, nuk munda më të duroja, ai plaku plasi i shkreti. Vdekja e tyre është me dashje, me qëllim, sepse nuk kanë dashur të vënë dorë. Këta ishin të sëmurë, pa këmbë e pa duar. Shkoni e shikoni edhe gruan, ajo ka qenë grua zonjë, e njoh, por s’i ka falur Zoti fëmijë dhe i kanë lënë këtu për të vdekur. Nuk kanë asgjë”, shprehet banori i lagjes.
Ndërkohë, shefi i teknikës i OSHEE, Paulin Qarri, shprehet se ngjarja nuk ka ndodhur nga energjia elektrike.
“Nuk ka asnjë defekt prej elektrikut, zjarri ka ardhur nga gazi. Absolutisht nuk ka qenë shkak energjia elektrike. Kemi kontrolluar automatët, i ka ulur elektricisti në momentin që janë lajmëruar. Prej elektrikut nuk ka asnjë lloj problem”, thekson ai.
/b.h