Nga Ylli Pata
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vërtetë që për herë të parë ka në dorë një vendim që nuk ka ndodhur më parë.
Bëhet fjalë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, vendim që e ka marrë Parlamenti vitin e shkuar. Megjithatë, në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese ka pasur raste kur ka gjykuar vendime të Parlamentit për krerë shumë të lartë të Republikës.
Dy herë në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dy vendime të Kuvendit për shkarkimin e Kryeprokurorit të Republikës.
Prokurori i Përgjithshëm, sipas kompetencave që ka patur në Kushtetutë, realisht ka qenë më i rëndësishëm sesa Kreu i Shtetit. Kjo pasi Kryeprokurori ka pasur fuqinë e madhe ligjore të ndjekjes penale, e si rrjedhim heqjen e përkohshme të lirisë, ç’ka është një kompetencë shumë e fortë faktikisht.
Në të dyja vendimet Gjykata Kushtetuese, pra si për shkarkimin e Kryeprokurorit Arben Rakipi, apo atë të shkarkimit të Kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet e Kuvendit, duke i cilësuar sin ë kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit.
Tjetër punë është se Kuvendi nuk i ka zbatuar vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, që nuk është hera e parë. Megjithatë, me largimin e anëtarëve të Kushtetueses nga procesi i vettingut, e më pas me ringritjen e vështirë të këtij institucioni me shumë problem e polemika, vendimi për shkarkimin e Presidentit
është një sfidë më vete. Megjithatë, është një sfidë që këtij institucion i bën mirë, që ta nisë veprimtarinë me çështje që konsiderohen “të rënda”.
Në të gjithë kohën që Gjykata Kushtetuese ishte bosh, kemi përjetua një uragan opinionesh nga përkrahësit e Ilir Metës dhe të Sali Berishës, ku mungesa e këtij institucioni konsiderohej si një “rreng i Edi Ramës dhe ndërkombëtarëve”.
Të gjithë e mbajnë mend betejën e Metës kundër Dvoranit për procedurë, a thua se po luftohej mbi kuçedrën. Të gjithë e mbajnë mend betejën e Ilir Metës për ta promovuar edhe pse me mandate të mbaruar të zonjës Vitore Tusha, anëtare e Kushtetueses. Më pas përplasja e fortë me mazhorancën për emërimin e Marsida Xhaferllarit, Sonila Bejtjes, apo Besnik Muçit që u rrëzua nga vettingu.
E në këtë atmosferë të nderë, me polemika dhe me një klimë tensioni, Gjykata Kushtetuese u stabilizua disi. E erdhi në kohën kur u përball me dy sfida të rëndësishme: vendimin për 30 qershorin dhe atë për shkarkimin e Ilir Metës. E çfarë bëri Presidenti i Republikës? Sulmoi e shantazhoi institucionin që intepreton ligjin themeltar, e u mor me gjyqtarë të veçantë.
Siç ndodhi para pak ditësh kur kërkoi se si është zgjedhur relatorja e çështjes. Një aksion i qartë që synonte të mënjanonte një gjyqtare, për të arritur më pas në një situatë kur Kushtetuesja të mos ketë mazhorancë vendimarrëse.
Ky akt i Metës, i nisur që prej dy javësh është realisht një shkelje edhe më e madhe se ai ka bërë në të shkuarën. E këtu Kuvendi duhet të ndërhynte menjëherë ndoshta me seancë Speciale.
Kushtetuesja zbaton thjesht ligjin themeltar të shtetit, e për këtë është sovrane, ndaj zgjedhja bëhet me dualitet ndërmjet Presidentit e Parlamentit. Pas zgjedhjes, të gjithë duhet të heshtin…