Janari i këtij viti ka regjistruar dyfish më shumë raste me Covid, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar afro 47 mijë raste me Covid ku mbi 95 % e tyre janë me variantin Omicron.
Ndërsa në Janar të një viti më parë rezultonin 20 mijë raste me koronavirus. Ajo që bie në sy është një ulje e lehtë e humbjeve të jetëve të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse në Janar të viti 2021 kanë humbur jetën 175 persona, këtë muaj janë regjistruar 112 viktima.
Numri i personave që kërkonin trajtim spitalor ishte më i lartë një vit më parë ku në spitalet Covid rezultonin të shtruar afro 340 pacientë. Ndërsa këtë vit mesatarja e të shtruarve në spital është 150, dyfish më pak raste se vjet.
Sipas specialistëve, indikatori kryesor i matjes së ecurisë së pandemisë janë të shtruarit në spital. Për këtë arsye ata vlerësojnë se situata e Covid në vend mbetet e qëndrueshme. Kjo falë vaksinimit antiCovid dhe imunizimit natyror.
/a.r