Partia Demokratike u është përgjigjur kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me akuzat që ata lëshuan mbrëmjen e djeshme, kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha.
“Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën”, thuhet në një postim të PD-së në rrjetet sociale..
PD shprehet se të vetmit që po bashkëpunojnë me njëri-tjetrin janë Rama dhe Berisha, duke shtuar se ndërsa dëgjon njërin të kujtohet tjetri, pasi flasin gjuhën e mbrojtjes së interesave të tyre.
Ky ishte reagimi i dytë i PD-së ndaj Berishës dhe Ramës, ndërsa më herët reaguan pas daljes televizive të një nate më parë që bënë ish-kryeministri dhe kryesocialisti.
“Dje, në ekrane të ndryshme, u shfaq një tjetër episod haluçinant i dy njerëzve që përdorin të njëjtën gjuhë, për të mbrojtur të njëjtat interesa. Rama dhe Berisha janë njësoj! Dëgjon Ramën dhe kujton Berishën. Dëgjon Berishën dhe kujton Ramën”, shkruan PD.
Kujtojmë se Edi Rama dhe Sali Berisha ishin mbrëmë të ftuar në të njëjtën kohë, në dy emisione të ndryshme televizive.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se ish-ambasadori amerikan, Donald Lu i solli në zyrë dosjen “Muzin”, në ngarkim të Lulzim Bashës, ku sipas tij, e implikonte kryedemokratin në pastrimin e parave.
Nga ana tjetër, Rama u shpreh kështu për raportin Basha-Berisha: “Njëri është në shkretëtirë, tjetri është në asfalt, por janë në rrugë të madhe të dy palët. Nuk kanë të ardhme njëri as tjetri në atë pozicion, si liderë të opozitës shqiptare.”/m.j