Në kohën kur po afrohen zgjedhjet e pjesshme vendore, situata tashmë brenda së djathtës është më shumë se e tensionuar.
Për ish-deputetin e PD dhe anëtarin e Komisionit për Rithemelimin e PD-së, Arben Ristani, e gjithë kjo amulli është krijuar nga mosshqyrtimi nga ana e Gjykatës për regjistrimin e kërkesës së Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore.
“Gjykata brenda 30 ditëve duhej të kishte marrë vendimin përkitazi me depozitimin e kërkesës së Komisionit të Rithemelimit për ndryshimet statutore, të vendosura në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit. Kemi këtu tashmë një amulli të madhe, sepse kemi një paligjshmëri të madhe, gjykata nuk e ka marrë në shqyrtim dhe ka krijuar këtë problematike në raport me zgjedhjet.”, tha ai.
Sipas Ristanit , dy janë rrugët ligjore që do të marrë nga ana juridike Komisioni i Rithemelimit të PD, në mënyrë që të mos lej pa përfaqësim përkrahësit e saj në zgjedhjet e 6 marsit.
“Jemi të detyruar të vendosim në forma tjera ligjore, ose do të përfaqësohemi me kandidat të pavarur ose përmes një koalicioni ku do të ketë një emër të përveçshëm. Ajo që është e rëndësishme është fakti se tashmë jemi të përfaqësuar si opozitë.”, u shpreh ai për MCN.
Sipas Ristanit, për çështje ditësh, sot ose nesër do të dilet me një marrëveshje konkrete koalicioni, pas bisedimeve përfundimtare.
“Këto ditë, kjo çështje do të mbyllet ndërkohë me datën 30 janar do të zhvillohen primaret për kandidatin final, dhe brenda afateve ligjore do të paraqitemi për regjistrim.
Për dy ditë do dalim me një marrëveshje përfundimtare koalicioni se me kë do të futemi në zgjedhje”, tha Ristani.
/b.h