Nga Armand Plaka
Ai njihet si spiuni më i famshëm i Luftës së Ftohtë dhe me veprimet e mosveprimet e tij bëri që të dështonte një nga sipërmarrjet më të mëdha inteligjente të kohës së Luftës së Ftohtë: aksioni i koordinuar mes CIA-s amerikane dhe “Intelligence Service”-it britanik. Loja e tij bëri që edhe komunizmi në Shqipëri të vijonte i pashqetësuar rrugëtimin e tij dhe për më tepër për vite e dekada me radhë të ngrihej një mit mbi organet e Sigurimit të Shtetit si të pathyeshme dhe (përtej aspektit ideologjik) teknikisht shumë të përgatitura.
Shumë vite më vonë, në 2003, ndërsa Dhoma e Komunëve e Parlamentit Britanik po
diskutonte për çështjen e ndërhyrjes ushtarake në Irak, ndërsa fliste përballë deputetëve,
ish-Kryeministri karizmatik Tony Blair s’do harronte të përmendte edhe “rastin shqiptar” në
vitet ‘50, duke theksuar se: “Dështimi i aksioneve britanike në Shqipërinë e viteve ‘50 renditet
si njëri ndër dështimet më emblematike të shërbimeve të fshehta britanike të shekullit të
shkuar”.
Ai veç të tjerave ishte dhe njëri ndër rastet më emblematike (duke pasuar parasysh edhe
krizën e Suezit, ndërhyrjen në Vietnam etj.) ku amerikanët nisën të shohin me dyshim
bashkëpunimet me britanikët, për shkak se rrjedhjet e informacionit kishin qenë aq të
mëdha në drejtim të sovjetikëve, saqë kishin tronditur besimin te partnerët e tyre në Londër
në terma afatgjatë.
Edhe pse për publikun ndërkombëtar janë nxjerrë në dritë shumë fakte e dëshmi, janë shkruar madje dhe libra e vepra letrare, qysh nga arratisja e tij në vitin 1963 (në fakt për shqiptarët shumëçka do të bëhej e qartë vetëm pas viteve ‘90), sërish diskutimi mbi atë ngjarje ka vijuar duke hasur në këmbënguljen e ish-punonjësve të Sigurimit, anëtarëve e protagonistëve të aksioneve të kohës, nostalgjikëve të regjimit komunist, por në raste të tjera edhe nga historianë e specialistë të fushës, sikurse dhe gazetarë e lexues.
Gjithçka lidhet më atë që njihet tashmë si “Liqeni i Vajkalit” një nga aksionet më të bujshme të Sigurimit, të cilit i janë kushtuar edhe vepra artistike (më vjen ndërmend tani filmi “Gracka”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” në vitin 1984 me regji të Sajmir Kumbaros).
Edhe vetë para më shumë se 10 viteve kam shkruar disa artikuj në lidhje me Kim Philby-n,
duke dashur të ofroj fakte e materiale që dëshmonin se ishte pikërisht ai dhe shokët e tij,
informacionet që sidomos ai transmetonte te KGB-ja sovjetike e që përcilleshin në kohë reale
tek ish-Sigurimi Shqiptar, të cilat më pas përpunoheshin dhe bënin që Sigurimi të përgatitej
më së miri për dështimin e aksionit amerikanobritanik. Nuk duhet mohuar se Sigurimi
gjithsesi arriti të luante një lojë shumë precize e të kujdesshme, por gjithçka s’do të mund të
ishte bërë e mundur nëse s’do t’i ofroheshin saktësisht e në kohën e duhur emrat, vendet e
zbarkimit (desantimit), oraret dhe listat e strehuesve, mbështetësve dhe ndërlidhësve të
aksioneve të pritshme.
Operacioni “Shqipëria” dhe gjithë ndërmarrja që lidhej me të, siç do të vërente në atë kohë
një gazetë gjermane, përfundoi në një katastrofë të vërtetë, zhytur në një bilanc tragjik.
Brenda një muaji, ishin rreth 150 luftëtarë guerilas (apo diversantë, siç i quante propaganda
shtetërore asokohe) – thuajse gjysma e gjithë trupës – të vrarë apo të kapur rob e po kështu
një numër i madh shqiptarësh vendas, të cilët u treguan të gatshëm e nuk treguan kujdes,
ndërsa prisnin e strehonin guerilasit antikomunistë, duke besuar se kauza e tyre do të
fitonte.
Me dështimin e aksionit të koordinuar amerikano-britanik, Philby bëri që të vriteshin, torturoheshin e të dënoheshin me vdekje më pas edhe dhjetëra vetë të tjerë dhe si pasojë të vuanin dënime e internime, sikurse dhe përndjekje shumë mizore deri në fund të sistemit edhe plot familjarë e miq të atyre që në atë kohë propaganda
i cilësonte si “diversantë” Sidoqoftë, ajo që dua të sjell si risi në këtë prurje është një dëshmi e panjohur deri më tani e që na vjen nga arkivat e STASI-t, ish-Ministrisë së Sigurisë Shtetërore me qendër në Berlinin Lindor.
Bëhet fjalë për disa pohime të shkurtra në volum, por shumë të rëndësishme në përmbajtje, të nxjerra nga goja e vetë Philby-t në gusht të vitit 1981, marrë nga një video e regjistruar për përdorim të brendshëm nga ish-anëtarët e STASI-t, gjatë një aktiviteti që ata kishin organizuar në atë kohë në një nga sallat e Ministrisë së tyre me spiunin e famshëm, i cili për ta ishte sigurisht një i ftuar aspak i zakonshëm, një “i ftuar nderi” shumë i veçantë, sikurse shprehet në prezantimin që i bën atij Nr. 2 i STASI-t në atë kohë, Markus Volf, edhe ky i fundit njëri ndër kryeagjentët e spiunët më të famshëm të kohës, për të cilin Perëndimi deri në atë kohë thuhej se mezi kishte arritur ta identifikonte
Ai shprehet në fillim se STASI kishte pasur rast të ftonte edhe më parë heronj të përmasave
të mëdha që ecnin në shembullin e ish-agjentit të famshëm të kohës së LIIB, Richard Sorge,
apo ish-agjentit sovjetik, Rudolf Ivanoviç Abel (1903 –1971), të cilët sipas tij ishin të
përmasave e kontributeve si të Feliks Gjergjinskit, themeluesit të ÇEKA-s sovjetike etj., duke
shërbyer si shembull frymëzimi për anëtarët dhe punonjësit e STASI-t.
Philby, i cili në atë kohë (sikurse thotë dhe prezantuesi në fjalimin e tij hapës) kishte tashmë
rreth 18 vite që bashkë me të shoqen jetonte në Moskë dhe njihej e nderohej nga KGB-ja për
shërbimet që ai i kishte ofruar me kohë Moskës e socializmit.
Në sfond dallohet qartë fotoja e ish-kreut të shtetit në ishRDGJ, Erih Honeker. Në podium e
presin disa ofiqarë të STASI-t, ndërsa përballë salla duket e mbushur plot për të nderuar gjendet në Arkivin e Zyrës së të Ngarkuarit Federal për Dosjet e Stasi-t në Berlin, ndërsa data
e saktë nuk gjendet (duke na dhënë vetëm: gusht 1981).
Duhet thënë se transkriptimi i materialit është bërë i plotë, por vende-vende vihen re boshllëqe që shoqërohen me fjalën “e paqartë” në kllapa, pasi vetë videoja duket se nuk ka një cilësi madhore. Sidoqoftë, ajo ka
rritur të arkivohet e të vihet në shërbim të publikut, vendas e të huaj, ku sigurisht se shumë
të interesuar në këtë rast do të duhej të ishin posaçërisht shqiptarët.
Pasi nis fjalën e tij, ish-agjenti i dyfishtë (në vendin e tij, Mbretërinë e Bashkuar, sidoqoftë i
damkosur përjetë si tradhtar dhe ai shihet si anëtari më i spikatur i një grupi prej pesë
spiunësh të njohur si “Rrethi i Kembrixhit” pasi kishin studiuar atje) rrëfen disa detaje nga
puna, rekrutimi, kontaktet e para me oficerin ndërlidhës sovjetik, pritjen e durimin për të
marrë përsipër detyra etj., kontributet gjatë Luftës së Dytë e në fund edhe kyçjen në
operacionin e fshehtë “eksperimental” siç e cilëson ai, për të desantuar 2 deri në 3 mijë vetë
në Shqipëri, të cilët sipas CIA-s dhe Shërbimit të Fshehtë Britanik do të mund të bënin të
mundur rrëzimin e regjimit të Tiranës.
“Nëse kjo do të kishte sukses, atëherë radhën do ta kishin vende si Bullgaria e kësisoj do të
provokohej ndërhyrja sovjetike, çka do sillte si pasojë edhe shpërthimin e Luftës së Tretë
Botërore”, sipas Phylbi-t, i cili me këtë rast na shfaqet edhe si idealist, si njeri që ka shpëtuar
botën e njerëzimin nga një luftë e tretë shkatërrimtare për njerëzimin.
DËSHMIA E KIM PHILBY
Unë isha për shtatë vjet tanimë në Londër. Tani unë mund të angazhohesha edhe në
shërbimin e jashtëm. Si zgjedhje m’u vunë në dispozicion Stambolli [nuk dallohet qartë se
ç’thotë], një vend shumë i përshtatshëm, pasi e dinim se Stambolli ishte porta e çdo
përpjekjeje për të hyrë në Bashkimin Sovjetik. Kështu që nuk do të hyj në detaje rreth kohës
që kalova në Stamboll, sepse koha ecën. Kështu që tani do të bëj një kapërcim të madh,
domethënë do kaloj në vjeshtën e vitit ‘49.
Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, CIA sapo ishte themeluar dhe çdo gjë po ecte shumë
shpejt. Ishte e qartë tashmë se të gjitha vendimet e rëndësishme në fushën e inteligjencës
për Uashingtonin merreshin këtu. CIA duhej të paraqitej si boshti qendror, rreth të cilit
rrotullohej gjithçka. Veprimtaria ime ishte ajo e një oficeri ndërlidhës për CIA-n dhe FBI-në.
Unë duhet të kujdesesha të forcoja lidhjet me CIA-n, por pa rrezikuar të dëmtoja ato me FBInë. Duhej të zbuloja se fusha në të cilën përmbushej kjo punë, ishte shumë më e madhe se
sa ajo që mund të bënte një person i veçantë. Unë duhej të merresha me të gjitha çështjet e
shërbimit të fshehtë, të zbulimit, të kundërzbulimit, të subversionit dhe të gjithë harkut të
veprimtarisë së shërbimeve të fshehta, gjithçka vinte në tavolinën time të punës
Prandaj është mjaft e vështirë të veçosh një shembull tipik nga ajo periudhë. Ndoshta këtu duhet të përmend operacionin “Shqipëria”, i cili ishte një operacion i përbashkët i CIA-s dhe SIS-it (Shërbimit të Kundërzbulimit Britanik që më së miri njihet si MI6 – shpjegim i përkthyesit). Aksioni u përgatit nga përfaqësues të CIA-s, SIS-it dhe të dy ministrive të jashtme respektive. Ideja ishte që të hidheshin nga ajri dhe nga deti grupe të vogla me gjithsej dy deri në tre mijë burra: supozohej se ata do të ishin në gjendje të fillonin një kryengritje të përgjithshme kundër qeverisë dhe për ta përmbysur atë.
Meqenëse unë isha anëtar i kësaj komande të lartë që drejtonte këtë operacion dhe të gjitha informacionet kalonin në tavolinën time që në fillim, nuk është për t’u habitur që ky operacion ishte një dështim. Megjithatë, gjëja domethënëse ishte se ky operacion do të shihej si një eksperiment. Nëse do të kishte qenë i suksesshëm, objektivi tjetër do të ishte Bullgaria dhe do të ekzistonte rreziku që të tërhiqej në konflikt Bashkimi Sovjetik, i cili padyshim do të kishte rezultuar në një Luftë të Tretë Botërore. Dështimi i operacionit shqiptar arriti që t’i frenonte ata për të vijuar më tej duke rrezikuar një disfatë të dytë.