Ethja reumatike është një sëmundje kronike, me fillim akut dhe me përkeqësime të përsëritura. I përket grupit të sëmundjeve të reumatizmit inflamator dhe tipar i saj kryesor është karakteri sistematik.
Duke pasur parasysh prekjen e indit lidhor, procesi patologjik mund të shfaqet në tërë organizmin, por me prekje më të shpeshta në nyje dhe në muskulin e zemrës.
Shkaktari i sëmundjes
Sëmundja paraqitet 2 deri 3 javë pas infeksionit akut në traktin e sipërm respirator të shkaktuar nga bakteri i quajtur, Streptokoku beta hemolitik i grupit A. Ky infeksion nuk është shkaku i drejtpërdrejtë i sëmundjes, por ai sjellë deri te formimi i antitrupave të cilët pastaj e sulmojnë indin e vet organizmit, siç është indi i nyejve dhe muskuli i zemrës. Pra, sipas kësaj, themi se ethja reumatike ka patogjeneze autoimune.
Në paraqitjen e sëmundjes, rol kryesore zë predispozicioni gjenetik, kurse si faktorë favorizues janë kushtet e jetesës dhe të punës (lagështia, grumbullimi i shumë personave dhe kontakti i afërt), faktorët klimatike dhe gjeografike (klimë e ftohtë dhe i lagësht), efektet sezonale (në pranverën e hershme dhe vjeshtën e vonë), mosha (mosha shkollore).
Pasqyra klinike
Shenjat dhe simptomat klinike varen nga ajo se cili organ ose sistem organesh është i prekur nga sëmundja. Simptoma të përgjithshme janë karakteristikë e inflamacionit në trup siç janë: ethet dhe temperatura trupore, rrahje të shpejtuara të zemrës, gjendje e lodhjes së përgjithshme, humbja e oreksit me rënie në peshë, djersitje, dhimbje koke, gjakderdhje nga hunda, vjellje.
Në manifestime te lokalizuara reumatike (të quajtura ndryshe kritere kryesore të sëmundjes), përfshihen:
• poliartriti migrator – karakterizohet nga përfshirja e nyejve të mëdha, zakonisht gjunjët, thembrat, bërrylat, shputat dhe nyejt e dorës. Nyejt e prekura kanë të gjitha karakteristikat e ndezjes, si, dhimbjet e forta, ënjtjet, skuqjet, ngrohtësi lokale dhe kufizimin e lëvizjes. Karakteri migrator konsiston në atë që përfshihet një nyje, pastaj ajo qetësohet dhe përfshihet nyja tjetër dhe kështu me radhë, nganjëherë ndryshimet paraqitet në disa nyje njëkohësisht.
• karditi reumatik – është inflamacion që mund të përfshijë miokardin ose muskulin e zemrës (myocarditis), endokardin apo cipën e brendshme të zemrës (endocarditis), ose një kombinim i tyre i ashtuquajtur pancarditis. Simptomat më të shpeshta janë lodhja, dobësia trupore, djersitja, humbja e oreksit, frymëzënie, kollë, dhimbje ne gjoks dhe në gjymtyrë. Shenjat fizike varen nga shkalla e dështimit të zemrës dhe është vënë re zakonisht frymëmarrje e shpejtuar, rrahje të shpejtuara te zemrës, ortopnea (një lloj i veçantë i frymëzënies kur i sëmuri zë pozitë të detyrueshme për të lehtësuar frymëmarrjen), dëgjohen tone të mbytura të zemrës, venat e qafës janë të fryra, mëlçia e zmadhuar, ënjtje e fytyrës dhe pjesëve të poshtme të këmbëve.
• chorea minor – encefalit reumatik alergjik (ndezje e trurit). Kjo ndodh më shpesh në vajzat e moshës nga 5 dhe 15 vjeçe. Fillimi e sëmundjes është gradual dhe manifestohet me ankth, pagjumësi, nervozizëm, urinim natën. Më vonë, me thellimin e sëmundjes, shfaqen lëvizjet e pakoordinuara, vështirësi në shqiptimin e fjalëve, fëmija bën grimasa dhe ka vështirësi për të marrë ushqim.
• nyjet nënlëkurore reumatike – lajmërohen te format e rënda dhe janë shenjë e prognozës së keqe të sëmundjes. Ato janë të forta në prekje, të lëvizshme dhe pa dhimbje. Paraqiten në sipërfaqet ekstensore të nyejve, si në nyjën e gjurit, bërrylit, etj.
• eritema marginatum ose anulare – janë ndryshime specifike të lëkurës, të zbehta në qendër dhe rozë në të kaltër në periferi, me formë të rrumbullakët ose gjarpri. Zakonisht paraqiten në gjymtyrë dhe trup, por asnjëherë në fytyrë. Lajmërohet 2 deri 3 javë pas fillimit të sëmundjes dhe shumë rrallë ripërsëriten. Është fenomen tipik i ethes reumatike dhe konsiderohet si shenjë patognomonike.
Diagnoza e sëmundjes
Arrihet në bazë të anamnezës, ekzaminimit fizik, analizave laboratorike – sedimentimi i eritrociteve është përshpejtuar, numri i qelizave të bardha të gjakut i rritur, përqendrimi i fibrinogjenit në serum, poashtu, është i rritur. Karakteristikë është rritja e titrit të antitrupave ASO. Në diagnostikim definitiv të sëmundjes, shërbehemi me kriteret diagnostike të Jones-it.
Kriteret diagnostike të Jones-it:
Kriteret madhore
Poliartriti
Kraditi
nyjet subkutane
Eriotema marginatum
Chorea minor
Kriteret minore
Ethet dhe temperatura e lartë trupore,
Arthralgjitë (dhimbjet e nyejve),
Parametrat inflamatore: SE i përshpejtuar, CRP i rritur, rritja e numrit të rruazave të bardha te gjakut,
Intervali PQ në EKG i zgjatur (më shumë se 0.22 sec.)
Anamneza pozitive për ethe reumatike
Përcaktimi i diagnozës bëhet nëse ekzistojnë dy kritere madhore ose një kriter madhor dhe dy minore.
Trajtimi
Hapi i parë dhe mjaft i rëndësishëm që duhet të ndërmerret në këta pacientë është pushimi-regjim shtrati.
Mjekimi i sëmundjes fillon me aplikimin e antibiotikëve për të eliminuar bakterin Streptokok. Bari i zgjedhur në këtë rast është Penicilina, e cila jepet përgjatë dhjetë ditëve.
Bar tjetër me rëndësi janë preparatet e salicilateve të cilët poashtu jepen në doza të konsiderueshme. Në rastet e prekjes së zemrës, efekte pozitiv jep edhe përdorimi i kortikosteroideve.
Te ethet reumatike, vend të posaçëm dhe mjaft të rëndësishëm zë dhe parandalimi ose prevenimi i recidivave ose përsëritjeve të sëmundjes. Për këtë përdoret prevenca primare dhe sekondare. Prevenca primare konsiston në mjekimin e drejtë të infeksionit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes me antibiotikë. Kurse prevenca sekondare konsiston në dhënien e preparateve depo të Penicilinës (antibiotik me veprim të zgjatur). Kjo bëhet duke dhënë çdo 3-4 javë Penicilin depo (Extencilin amp.) me rrugë intramuskulare.
Kohëzgjatja e dhënies së preparatit në fjalë menaxhohet si vijon:
– te pacientët pa kardit- jepet një vit Extencilin 600000UI për fëmijë dhe 1200000UI për të rritur, çdo 3-4 javë
– te pacientët me kardit, por pa ves kardiak- jepet 5 vjet ose tek te rinjtë deri në moshën 25 vjeç në doza të përmendura më lartë
– tek pacientet me vese të krijuara kardiake- profilaksa sekondare e etheve vazhdon gjatë tërë jetës. /Telegrafi