Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se PS-ja është e gatshme që të hyjë me 6 kandidatë në bashkitë ku presidenti Ilir Meta ka shpallur zgjedhjet e pjesshme lokale. Veliaj u shpreh se ky është akti i fundit i Ilir Metës si president, duke e konsideruar këtë të fundit një “kalë të ngordhur” nga pikëpamja politike.
“Jemi përgatitur për 6 kandidatë dinjitoz në 6 bashki ku synimi është të fitojmë 6-0. Dibra, Shkodra, Vora dhe Rrogozhina kanë qenë bastione të djathta. E kemi marrë seriozisht. Kryeministri e tha sot nuk janë beteja për jetë a vdekje.
Nuk do trajtohen si beteja kombëtare apo ndërkombëtare. Do jetë një letër lakmuesi. Janë vetëm për një vit, ky është plotësim mandate. Zgjedhjet në mes mandati janë vetëm për atë mandat”, tha Veliaj në “Real Story” në “News 24”.
Duke u ndalur te vendimi i kreut të shtetit për zgjedhjet, Veliaj u shpreh: “Ky do jetë akti i fundit i presidentit sepse në prill do shkojmë në zgjedhjen e presidentit të ri. Shkarkimi i Metës është në Gjykatës Kushtetuese por në këtë fazë nuk bën diferencë. Për 100 ditë do kemi president të ri. Kalin e ngordhur për ca ta godasësh më. Flas si president dhe rolin e tij kushtetues si president i republikës.
Do ishte në nderin e Gjykatës Kushtetuese që të jepte vendime të drejta. Kur ishte mirë e bukur me Lulzim Bashën i shtynte zgjedhjet, tani që është mërzitur. Këta ligjin e kanë si llastik mbathjesh, sipas interesave personale”.
“Si Luli si Sali janë pakicë. Por janë të njëjtët militantë. Kur hienat nuk kanë një kockë për të shqyer atëherë do hanë njëri-tjetrin, kështu thotë ligji i xhunglës”, tha kryebashkiaku lidhur me konfliktin mes Berishës dhe Bashës./m.j