Një i ftohtë polar pritet të mbërthejë vendin ditët që do të vijnë, me meteorologët që kanë paralajmëruar për reshje dëbore dhe ulje të ndjeshme temperaturash në të gjithë Shqipërinë.
Duke pasur parasysh këtë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, u ka bërë thirrje njerëzve që të ndiqen të gjitha këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e vendbanimit tuaj.
“Siç raportojnë edhe meteorologët, pritet që ditët në vazhdim temperaturat në Shqipëri të zbresin deri në -18 gradë Celsius në zona si Bulqiza apo Puka, ndërsa termometri në Tiranë pritet të zbresë deri në -8 gradë Celsius, afër zeros edhe në zonat bregdetare si Durrësi, ndërsa në Vlorë priten temperature deri në -1 gradë Celsius.
Kulmi i temperaturave të ulta pritet të jetë dita e hënë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha njësitë vendore.
Për të shmangur situata të rënda, ndiqni të gjitha këshillat e shtabeve të emergjencave në bashkitë e vendbanimit tuaj,” shkruan Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile./m.j