Aktet e dhunës në Natën e Vitit të Ri në Këln u japin krahë përkrahësve të linjës së ashpër në Bashkimin Europian. Për kancelaren Merkel po bëhet gjithnjë e më e vështirë në Bruksel mendon Bernd Riegert.
Deri në Natën e Vitit të Ri mund të thuhej se arritja e një ujdie në politikën europianë të refugjatëve ishte gati e pamundur. Tani pas ngacmimeve masive ku morën pjesë shumë refugjatë dhe dështimit të pamohueshëm të policisë është bërë totalisht i pamundur kompromisi për shpërndarjen e drejtë të refugjatëve në BE. Reagimet e europianolindorëve ndaj ngacmimeve seksuale masive të Këlnit janë të padiferencuara: Konkluzionet nga Polonia, Çekia, Hungaria e Sllovakia janë gati të njëjta: Refugjatët, sidomos ata myslimanë janë të rrezikshëm. Dhe ne e kemi thënë gjithmonë, por kancelarja multi-kulti Merkel nuk donte të na dëgjonte.
Sllovakia në krye të fushatës kundër Merkelit
Merkeli më mirë ta mbyllë në sirtar tani kërkesën e saj për një zhvendosjen e shpërndarjen e refugjatëve në Europë jo vetëm mbi bazë vullnetare, por mbi rregulla afatgjata. Kreu i qeverisë sllovake, Robert Fico nuk do të fusë në vendin e tij refugjatë. Ai do të mbrohet me të gjitha mjetet kundër një shpërndarjeje të detyruar të refugjatëve dhe azilkërkuesve. Padia para Gjykatës Europiane ndërkohë është ngritur. Aktet e Këlnit, Hamburgut dhe Shtutgartit, e ndërkohë edhe në Helsinki i japin populistit Fico argumentat që i duhen.
Presidenti çek, qeveria e re nacional-konservatore polake, kryeministri hungarez dhe të tjerë në Europën Lindore e Juglindore do t’i japin të drejtë me gjithë zemër Ficos. Populisti i djathtë holandez që gjithmonë shigjeton të huajt, Gert Wilders e sheh të pavlefshme më politikën europiane të refugjatëve. Kryeministri holandez, Rutte tani edhe kryetar i Këshillit të Presidencës së BE-së ndodhet nën presion. E njëjta gjendje edhe në vende të tjera të BE-së. Në Suedi, Danimarkë, Finlandë por edhe në Gjermani po rritet presioni ndaj qeverive.
Këlni madje është kapur si temë edhe përtej Europës. Kandidati pretendues për president i republikanëve në garën për president, Donald Trump i njohur për tonet armiqësore kundër të huajve i përdor këto ngjarje për qëllime elektorale. „Gjermania sulmohet masivisht nga migrantët që i ka lejuar të hyjnë në vend“, shkroi ai në twitter.
Presioni kundër Merkelit rritet edhe brenda Gjermanisë
Partia populiste e djathtë „Alternativa për Gjermaninë“ dhe grupe të tjera që mbledhin demonstruesit me parulla sipas tyre kundër islamizimit e kundër të huajve po përfitojnë nga situata. Numri i sulmeve kundër kampeve të refugjatëve nuk ka qenë kurrë kaq i lartë sa sot. Kancelarja gjermane ndodhet edhe në politikën e brendshme tani nën presion shumë të madh – pas Këlnit mund të thuhet se shpërthen plotësisht kriza për një politike të përbashkët europiane për refugjatët.
Në konceptin për mënyrën e veprimit me fluksin e madh të njerëzve që vijnë nga Siria, Afganistani, Iraku, Eritrea dhe Afrika veriore luan një rol të rëndësishëm shpërndarja e tyre tek të gjitha shtetet e BE-së që bëjnë pjesë në zonën Shengen. Pa një shpërndarje të strukturuar vende si Greqia apo Italia do të vazhdojnë të lejojnë të kalojnë refugjatët sikur të jenë tranzit deri sa të vijnë në vendet veriore. Asnjë shtet në itinerarin ballkanik nuk mund t’i ndalë ata apo t’i pranojë. Fluksi do të vazhdojë të vijë drejt Gjermanisë. Një ulje „vendimtare“ të numrit të refugjatëve si ka premtuar Merkel partisë motër, CSU nuk duket se do të ketë. As shpresë tek solidariteti europian nuk ka më.
Merkeli e ka shumicën e BE-së kundër
Deri në mars kryeministri sllovak, Robert Fico nuk ka për të ndryshuar as edhe një grimë nga qëndrimi i tij refuzues, sepse ai kërkon të rizgjidhet kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Nga korriku – siç e do edhe rasti – kryeministri sllovak është edhe kryetar i Këshillit të Presidencës së BE-së, Sllovakia mban presidencën e radhës. Në këtë rol ai duhet të përpiqet të gjejë kompromise europiane në politikën europiane dhe mbrojtjen e kufijve. Ndoshta këto kompromise nuk kanë për të funksionuar, sepse Sllovakia e ka paditur shumicën e vendeve anëtare në Gjykatën Europiane për shkak të politikës ndaj refugjatëve. Shumë krerë shtetesh e qeverish ndërkohë e quajnë të gabuar politikën e Merkelit për refugjatët. Me gjasë ose Merkeli do ta ndryshojë politikën e saj ose do të largohet. Ngjarjet tronditëse në Këln e kanë bërë gati të pashpresë gjendjen shumë të vështirë në BE. Ndoshta ato mund të jenë edhe fillimi i fundit për atë që njihej deri më sot si gruaja më e fuqishme në BE, Angela Merkel./DW