Policia në Indi ka filluar të aplikojë metoda të pazakonta për të detyruar hajdutët të bashkëpunojnë, dhe kështu ka ndodhur së fundmi edhe me një person të cilin e kanë detyruar të hajë 40 banane, duke shpresuar se do të ngopet dhe do të “kthejë” zinxhirin e arit të cilin e kishte vjedhur dhe më pas e kishte përpirë.
Një burrë i arrestuar, kategorikisht mohonte faktin se kishte vjedhur një zinxhir ari nga qafa e një gruaje, e cila po shëtiste rrugëve të Mumbait në Indi, edhe pse fotografitë e rëntgenit tregonin qartë se po gënjen, transmeton Telegrafi.
Pas shpëlarjes së barkut nuk ishte dhënë ndonjë rezultat, kështu mjekët propozuan një ndërhyrje kirurgjikale, gjë që policia e kishte refuzuar me arsyetimin se ky operacion do të kishte kosto të lartë.
“Është detyruar të hajë mbi 40 banane brenda një ditë”, ka deklaruar për AFP, zëdhënësi i policisë në Mumbai, Shankar Danavade.
Ai ka shtuar duke thënë se, grabitësi 28-vjeç i cili gjatë javës së kaluar është sjellë në sallën e gjyqit, është detyruar të pastroj dhe të dezinfektojë zinxhirin e artë.