Rreth “Krijime fëminie” të Ardian-Christian Kyçykut,
Nga VIKTOR BAKILLARI
Në shkrimtarinë shqipe, por edhe në atë rumune, shkrimtar A.-Ch. Kyçyku është vërtet një rara avis.
Në shkrimtariadën shqiptare Ardian Kyçyku është ndër më të parët elitarë dhe gjasat janë që të jetë, ndoshta jo shume vonë, jo vetëm maratonist drejt Nobelit, por, pse jo, ngadhënjimtar i tij.
Ardian Kopi Kyçyku (Pogradec, *1969), nëpër letra e hasim me emrin letrar Ardian-Christian Kyçyku, është shkrimtar shqiptar bashkëkohor. Shkruan gati me të njëjtën lehtësi edhe në rumanishte.
Para pak kohësh më dërgon krijimin e tij “Krijime fëminie”:
Lexova titullin dhe, ngaqë më tërhoqi, jo më tepër ky, sesa scripta e tij, mendova që ta lexoja me vëmendje.
Me Ardianin i përkasim një breznie, dhe hamendësova që duhet të jenë ngjarjet e të cilave i kemi kaluar tok si brez. Dhe, si shpeshherë, u nguta. Nuk ishin thjesht rrëfime / kujtime / krijime fëmijërore, por retrospektivë dhe qëndrim i patëdytë në brezin tonë, për kohën e drunjtë, për gjuhën e drunjtë, për mendjet korube, për kohën e zogjve.
Pogradeci, vendi i Poradecit, Kutelit, Kopit e Ardian Kyçykut mblidhte qysh para këtij mijëvjeçari verë-vjeshtave shkrimtarë e artistë.
***
Ky libër jo i lehtë për t’u kuptuar, është ndarë në 7 kapituj.
(Ballkan – e tashmja e pakryer; Zogj për ushqim / ushqim për zogj; Roje falas dhe ujdira; Armë, shenja pikësimi, ideale; Koka të pangrëna; Gjuheti’ dhe Gjuheshtja)
Çuditërisht, edhe këtu na del numri magjik i krijimeve të mëdha: Shtata.
Unë nuk besoj te rastësitë…
***
Ardian Kyçyku shkruan, Ardian Kyçyku krijon. Ndryshe nga të tjerë që kanë daullexhinj, tamburistë e cimbalistë, e shtyp, e reklama pafund (tenxheret bosh bëjnë shumë zhurmë kur përplasen!), Ardian Kyçyku ulet para faqes kompjuterike dhe, duke lundruar nëpër imagjinatën e tij të pëlleshme, duke lodruar e dirigjuar me shigjetën që del nga miushi me kafkull zijosh si të breshkët na rrëfehet…
Autori e shikon letërsinë e atëhershme si letërsi të krijuar në një epokë tjetër, e cila ku lëmonte, ku thante, ku terte, ku atrofizonte trurin e lexuesit, letërsi që fliste për një botë tjetër, lexuesi shkonte në botë tjetër duke iu mohuar Bota Tjetër.
“Erdhi dita ta varim, të shkretin, se jetonte prej aq kohësh i pavarur” – shprehet autori.
***
Na jepen 7 rrëfenja në kohezion dhe në koherencë me njëra tjetrën,
E para nis me “Ballkan – e tashmja e pakryer”.
Autori na nis rrëfimin me shqiponjën në rrafsh diakronik.
Një rrëfim mbërthyes (sikur të kap me kthetra shqiponje) për të zbërthyer shqiponjën.
Shqiponja simbol!
Ku ka shqiponjë, ka diapazon, ka ajër, ka hapësirë, ka lajm, sidomos për ne Shqiptarët.
Veç në rastin që na sjell shkrimtar Kyçyku Junior, nuk na jepet një shqiponjë dosido. Shqiponja e këtushme nuk është puplangrënëse, as thjesht minjngrënëse, por… homicide (njerivrasëse)
Autori na përcjell letrarisht e kërshërisht jehonën e shqiponjës shkrimtarvrasëse.
Shqiponja është vrasësja e Eskilit (525-456 para Kr.), dramaturgut të famshëm helen.
Autori, në rininë e hershme, nëpërmjet leximeve te s’disekushme, zbulon një ditë të bukur se shqiponja na paskësh vrarë Eskilin e moçëm rreth 2500-vjeçar.
“Shkëlqimi i shqiponjës u zbeh kur mora vesh se paskësh vrarë Eskilin… e kish ndëshkuar për arsye që i di vetëm Vdekja.” (f.7)
(Vini re shkronjën e madhe V për arsye stilistikore, dukuri e pranueshme edhe nga rregullat e Drejtshkrimit të shqipes.)
Të dhëna të hollësishme lidhur me këtë rrëfenja, autorit, pas interesimit të tij tek i ati (autori është djali i eruditit dhe kulturologut të madh shqiptar, Kopi Kyçykut,– enciklopedi më vete, njohës i 8 gjuhëve), ia dëften historinë e vrasjes së Eskilit.
“Po, – i shkruan i ati Kopi, autorit – për fat të keq, Eskili qënka vrarë nga një shqiponjë, në qytetthin bregdetar Gela të Siçilisë. …
Më saktë: një shqiponjë e lashtë, joshqiptare, – ndonëse kufijtë e lashtësisë nuk përputheshin kaherë me të tanishmit, – kish kapur një breshkë. Mbase i qe shpifur mëlçia a shpretka e Prometeut. Mirpo, që të mund ta shijonte, duhej ta shkulte breshkën nga zhgualli. Ndaj edhe, me zgjuarsinë e njohur, shqiponja qe endur në ajër për të gjetur një gur të madh, ose ndonjë shkëmb, ku të përplaste breshkën. Pikërisht në ato çaste, nën shqiponjë po kalonte Eskili.
Sapo qe ndarë nga një orakull, i cili e kish këshilluar të rrinte sa më shumë nëpër fusha ose vise të pabanuara, se 9 vdekja do t’i vinte nga shembja e një shtëpie. Eskilit i patën rënë flokët me kohë, në atdhe. Koka e tij iu duk shqiponjës si gur, ose si shkëmb vezak. Një si i thjeshtë mund të vriste gjer edhe Eskilin. Si-shkëmbi, ose si-guri vepruan si gur e si shkëmb.” (F. 8-9)
Pas sqarimit të vrasjes së Eskilit, autori kalon te një shqiponjë tjetër, te ajo e Prometeut të mbërthyer – zjarrsjellësit të Njerëzimit.
Edhe këtu kemi një përshkrim mbresëlënës nga ana e autorit:
“Prometeu i paskësh sjellë zjarrin njerëzimit. Sjellë dhe vënë. Zjarrin e dijes, të frymëzimit, të dashurisë (me në krye atë mbarënjerëzoren), s’e mbaj mend qartë, por jo të skëterrës. Si ndëshkim, Zeusi e kish mbërthyer Prometeun pas një shkëmbi (bash aty duhej ta përplaste shqiponja breshkën që vdiq duke vrarë Eskilin) në trojet shkretinore të Skithísë (ish-Kaukazit), ku Eskili dëshmonte se nuk pat shkelur këmba e njeriut. Mëlçia ose shpretka e Prometeut qe dënuar të rritej parreshtur, me qëllim që shqiponja të vinte çdo ditë, në të njëjtën orë, ose kur Prometeu gati bindej se i qe mbyllur dënimi, dhe t’ia hante. Me kalimin e kohës, ngaqë as mëlçia nuk mbarohej, as shqiponja nuk ngopej, shqiponja filloi të ndihej më e ndëshkuar se vetë Prometeu, ndonëse ushqimin e kishte të sigurtë dhe nuk duhej të vriste as breshka, as shkrimtarë. Nga ana tjetër, velja me të njëjtin ushqim, e mbushte me uri për breshka e gjallesa të tjera – dhe i hanin flatrat t’u sulej njerëzve të padënuar. (F.10)
Duke e mbyllur rrëfimin, autori sjell: “Të gjitha e humbën rëndësinë dhe më lanë njëherazi gojëhapur e gojëkyçur, kur lexova katër vargje nga „Prometeu i mbërthyer”: Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht / As vetë s’e di se kur më dhemb më shumë / Po askush nuk po ndjen dhembje më për mua / Që ndjeja dhembje për të gjithë.” (F. 12)
***
Rrëfimin e dytë, autori e titullon “Zogj për ushqim / ushqim për zogj” (F.13).
Mjeshtri i rrëfimit bën një kërkim për zogjtë e tjerë të fisëm, ata të dorës së parë, ata të lavdishmit.
Na flet për Feniksin, zogun e shenjtë që “… bëhej vetëtimthi shkrumb e hi, pastaj rilindej mrekullisht nga hiri i vet, duke përzjerë hirin me folenë ku pat jetuar.” (F. 13), por na flet, pak më poshtë edhe ata të palavdishmit, një kundërvënie ideore dhe artistike shprehur mjeshtërisht bukur. Vëzhgimi dhe hulumtimi i autorit për zogjtë është vërtet mbresëlënës. Na jepet një tablo faunore e letrarizuar.
“Vendosa të kërkoja zogj më të rëndomtë, se nuk më vinte për mbarë ta humbja krejtësisht a përfundimisht adhurimin ndaj shqiponjës. Për më tepër që, veç këngëve, – ku ajo mishëronte, hapur ose tërthorazi, Udhëheqësin, trimërinë, kombin, drejtësinë e të tjera, – shpalosej edhe në flamur, ndonëse me dy koka dhe pa vëllim. Vërtet nuk ishte pó ajo shqiponjë që pat vrarë Eskilin, por nuk ishte as fare pa lidhje me të. Siç dukej se ndodhte në racën e shpendëve, nga shqiponja kish dalë pó shqiponjë, jo siç kish dalë qen nga ujku, mëndafsh nga krimbi, gjemb nga trëndafili, papagall nga zogu etj. (f.15)
Duke hulumtuar zogjtë e dorës së dytë, ata të palavdishmit që s’para mbeteshin në histori, – mes të cilëve pëllumbi nuk më joshte, se vërtet qe i paqes, por nuk dinte të këndonte, ndynte kafazin më keq se ndonjë ndërgjegje vrasësi, dhe thuhej se u turrej befasisht avionëve, u hynte në barqet plot me udhëtarë dhe, pa dëshirën e tyre, u jepte paqen e përjetshme, – mësova se shqiponja kishte një mënyrë mahnitëse për të zgjatur jetën. Kur sqepi niste e i kthehej drejt fytit për t’i zënë frymën, ajo përkulej ta mprihte pas ndonjë guri a shkëmbi dhe e shkurtonte. Pashë një shqiponjë të atillë dy vjet më vonë, në Kopshtin Zoologjik, dhe dukej se e donte jetën marrëzisht, përndryshe do të kish pasur një sqep sado të imët, jo një si plagë, a si gojë të përdhosur njeriu. (F. 15-16)
Nuk kisha parasysh vetëm fatin e zogjve brenda shqipes. Disa zogj ishin ngritur në përgjegjësi dhe qenë bërë emra e mbiemra njerëzish, por edhe emra-mbiemra. Njëri madje qe shpallur edhe mbret. Mbreti Zog, por, para tij, ishte zogu Mbret (ai që regëtinte në kurmin e vajzave e të grave, duke mbretëruar plot fshehtësi e pritje përvëlimtare). Ky i fundit pat frymëzuar rënkimin më shajnitës që mund të nxirrte gjuha njerëzore, plot etje për lumturi të skajshme dhe drobitje nga pamundësitë: „Ta hëngsha zogun, o zog!”. (F. 16)
Kur nuk (mbi ose nën)quheshin „Shpirt, Yll, Zemër, Xhan, Jetë, Llokum, Pjeshkë”, për shembull, shumë më shpesh, gati të gjitha femrat thirreshin „Zog”. Ndonjë „Zog” e kishte emrin Shqipe, Dallëndyshe, apo edhe Shqiponjë. Por të gjitha pa përjashtim e kishin hak t’ua këpusje kokën, t’ua rrëmbeje kokën, t’ua haje kokën, t’u haje buzët (i kish ngjizur Perëndia pa sqepa), gjinjtë, kofshët e ashtu me radhë. Nuk kuptohej se çfarë na mbante gjallë në aq uri e dëshirë për të ngrënë zogj. (F. 16-17)
Rrëfimi vazhdon e, bashkë me të, edhe ritmi bëhet më fuqishëm.
Pogradeci (qytet) nga skenë e jetës provinciale në verë-vjeshtë kthehet në skenë e arenës kombëtare. Kokat e shtetit dhe të krijimtarisë gëlojnë në Pogradecin e Poradecit e të Kyçykëve.
***
E kështu, i vjen radha rrëfenjës së tretë: Roje falas dhe ujdira (F.18)
Për të mos rimarrë fjalët e shkrimtarit, sepse nuk jemi të aftë ta shprehim më bukur nga ç’e ka përshkruar ai, po flasim me gjuhën e tij: “Jetonim në një truall me bukuri të lartme, por ku, siç thoshte im gjysh: „Po të kishe bisht, ta prisnin; po mos kishe, ta ngjitnin”. Tërthorazi i binte që, po të kishe kokë, ta prisnin; po të mos kishe, s’të ngisnin. Rrëfenjat dhe sajesat e Poradecit (qytetit, jo poetit) kishin nganjëherë aq nektar ose aq helm, me përqindje që mund të të bënin shurdhmemec, sa nuk të mbetej veçse të ndiheshe askush, t’i fshiheshe gjer edhe ndërgjegjes, që Bukuria, si Vdekja, ose të dyja bashkë, të mos shihnin sa i pafuqishëm e pafajnisht i mangët je.” (F.18)
Duke lexuar me kërshëri, vërejmë një trini të rrallë. Trinitia, sipas Ardian Kopi Kyçykut, është: “Krijimi, pastaj krimi dhe i treti (i vërteti) shkrimi” (F.18) Ndërkaq, grotesku në këtë rrëfim arrin majat: “Gjatë një përshpirtjeje, njëri prej tanëve tha se italianët, „Po të kishin qenë vërtet breshkaxhinj, siç i damkoste dynjaja, do ta kishin ngrënë breshkën e Eskilit para se ta kapte shqiponja” (F. 22 Shënim)
– Të vras shqiponja, – u çmerit Sotiri i Saçmave. Po kësaj i thonë të bëj flamurët shoshë… S’i them burgut „Hapu!” unë, jo… Yve ju paskan fluturuar trutë, mor birka… (F.24)
***
Vijon mandej rrëfimi i katërt i titulluar Armë, shenja pikësimi, ideale (f.27) me plot aliteracione e me vijimësi grotesku: “U vumë kryenofkën Koka, sepse në tubimet e tyre, gati secili thoshte për të paktën njërin: ”Je / është kokë / Je / është kokë e madhe – për ideal!”. [I kam shkruar herë me k të madhe e herë me K të vogël, për të mos shkaktuar dasi a keqkuptime të paktën mes krerëve të tyre. Se disa koka desh e paguan me kokë kryengritjen e një Koke, të cilën e trajtonin si kokë të vogël. (27)
Pasi krasitej me kujdes, druçka lidhej si hieroglifi Ankh, ose Kryqi Egjipitian i Jetës, dhe përzhitej mjeshtërisht mbi mangall, ose mbi thëngjij në fikje e sipër, që të mos shkrumbosej, pakashumë ashtu siç piqej një zog i shkuar në hell. Gomat për krahët e llastikave silleshin falas nga shoferët e kamionëve dhe priteshin me brisk, me një saktësi që ia kalonte laser-it, ose mallkimit. Mbartësja e guriçkave, saçmave a vagonave ishte dhuratë nga këpucarët.
“…zogjve nuk u shkonte fjala „ngordh”. Ata vdisnin, jepnin shpirt, ndërronin jetë. As edhe për korbat, sorrat e ndonjë mishngrënës tjetër nuk thuhej „ngordhi”. Ngordhnin qentë (jo kur i vriste Sotiri i Saçmave), gjarpërinjtë, tradhëtarët, minjtë, njerëzit e mbrapshtë, zhabat, bukëshkalët, derrat, vrasësit me e pa pagesë (jo ne të zogjve), pushtuesit etj. Vend krejt më vete zinte Udhëheqësit Legjendar, që, në njërën nga ditëlindjet e freskëta, siç pëshpërisnin jo pak zëra të ngjethur, kish thënë troç se nuk do të vdiste kurrë (32-33)
***
Çdo gjë që fluturon, hahet (me përjashtim të avionit) – thotë Kinezi
Ndërsa A. Kyçyku na tregon: Për çudi, zogjtë me një ngjyrë të vetme, ose e shumta me dy, nuk para haheshin. Mbajta shënim: Ushtria e të Zinjve (sorrat, galat, korbat, disa prej shqiponjave, kryesisht të pathinjurat etj); Ushtria e të Bardhëve (pëllumbat e paqes, mjellmat etj), Ushtria e të Verdhëve (kanarinat, verdhashkat etj), Ushtria e të Hirtëve (bufërit, disa shqiponja, ato pjesërisht të thinjurat, kumritë, sgalemët etj). Çdo zog me ngjyra të nakatosura, jo vetëm ishte i ngrënshëm, por edhe të tundonte mbinjerëzisht ta vrisje. (33)
Hutini nuk vritej, se thuhej që bënte dashuri vetëm një herë në jetë, dhe vdiste. Kur shihje që ish gjallë, kuptohej se ende s’kish bërë dashuri, si puna jonë. Cili i pashpirt, qoftë edhe shqiponjë a breshkë, do të kish vrarë ca si ne?! Edhe qyqja ishte e mbrojtur falë kujës a këngës së saj. Atëhere nuk e dija se, për shqiptarët, kënga e qyqes ndillte mort, vetmi, plangprishje (shih: Qyqja unë, qyqja ti, qyqarë, kriptoqyqar/ë), ndërsa për rumunët: begati, martesë, gazmend, dasmë. Aq e thellë ishte kënga e qyqes. E nuhatëm se nuk dëbohej as vdekja, as plangprishja, as vetmia, duke vrarë qyqet. (35)
Kërkimet dhe hulumtimet e Ardian Kyçykut në shpezëri janë mbresëlënëse. Tek ai shikojmë reminishencat e një Ezopi, të një La Fonteni, veç jo në fabula, por në letërsi të mirëfilltë artistike.
Lodrimi i “Këndezit të egër”– kështu e përkëdhelte i gjyshi, kur ishte fëmijë) – me fjalën është shumë tërheqës. Loja me kokat (e madhe / e vogël), loja me emrin e kukuvajkës: M’u forcua bindja edhe në Bukuresht, aty nga fundi i shekullit të shkuar, kur vaji i Kukuvajkës, – që s’mund të quhej búfe, – më vegoi rëndësinë e vërtetë të shenjave të pikësimit (Ku-ku-vaj-ka? / Ku-ku-vaj-s’ka?! / Ku-ku-vaj-ka!)…
Sipas të dhënave të deriatëhershme, vetëm një zog shumëngjyrësh kishte fatin e të pavrafshëmve: papagalli. Mos vallë ngaqë ngjyrat i zhvlerësonte dhuntia për të kopjuar të folmen tonë?! (F.36) është epitomë e rrëfimit artistik.
***
Tjetër gjë që vihet re në këtë libër, janë paralelizmat dhe krahasimet kulturore midis dy etnive: shqiptare dhe rumune:
Edhe qyqja ishte e mbrojtur falë kujës a këngës së saj. Atëhere nuk e dija se, për shqiptarët, kënga e qyqes ndillte mort, vetmi, plangprishje (shih: Qyqja unë, qyqja ti, qyqarë, kriptoqyqar/ë, ndërsa për rumunët: begati, martesë, gazmend, dasmë. Aq e thellë ishte kënga e qyqes. E nuhatëm se nuk dëbohej as vdekja, as plangprishja, as vetmia, duke vrarë qyqet. (F.35)
***
Në kreun 5 të titulluar Koka të pangrëna (39), autori, me një sarkazëm therëse, godet letërsinë shterp të krijuar nga Kokat e atëhershme.
“Në afrim të vjeshtës, Poradeci zbrazej.
Ndihesha i lindur në e me atë lloj vetmie. Shumica dërrmuese e Kokave qenë kthyer në Tiranë e nëpër rrethe, ku duhej të kuvendonin gju(hë) më gju(hë) me popullin e thjeshtë, që të mund të shkruanin kryevepra, kur ne nisëm fushatën „Të lexojmë ata që ruajmë”.
Si çdo dhunë që ish përgatitur shumë kohë para se të lindeshe, pa të llogaritur veçse si gjitar me jetë e sjellje zvarraniku, ata libra pasuronin njëheresh me katër gjendje shfarosëse të çiftuara: jetë e rreme-letërsi e keqe, letërsi e rreme-jetë e rreme, jetë e keqe-letërsi e rreme, letërsi e keqe-jetë e keqe. Me shkrim, e zezë mbi të bardhë, jo me gojë. Për të sajuar e rrënjosur të kundërtën e Pafundësisë, – të cilën dijetarët, qysh nga lashtësia, e paraqitnin përmes 8-ës, – letërsia mund t’ua kalonte edhe politikave më mendjengushta. Sido e ngado t’i (mirë)kuptoje, librat e Kokave u duheshin ndaluar të paktën grave gjatë shtatzanisë, disave – edhe gjatë muajit të mjaltit. (40)
Kaloja nëpër mend fytyrat e shumicës së Kokave dhe aty më shkëndijoi së pari bindja se shkrimtarët ngjanin tejmase me gjërat dhe thelbin e atyre që shkruanin. Shpesh s’ish nevoja t’i lexoje, mjaftonte t’u shihje me kujdes fytyrat. Nuk do të habitesha nëse një ditë zbulohej zanati i lëçitjes së 42 fytyrave të shkrimtarëve, pa ua lexuar librat. Një mjeshtëri e atillë do t’u falte shumë kohë të lirë lexuesve. (41-42)
Të nesërmen pata fatin të shoh nga një kënd si të veçuar posaçërisht për shkrimtarë njërin ndër më të mëdhenjtë e Kokave. Nuk e përdornin fjalën Ajka, që askush të mos dyshonte se Kokat ishin të zjera. (42)
Dukej sikur një ushtri kokëprerësh brohorisnin rimën „-er / -her’” (46)
Vetiu u kurreshta të dija nëse Koka ishte takuar ndonjëherë me Lasgushin, a njiheshin, e kishin lexuar shoshoqin. (47)
– Tungjatjeta, zoti Llazar, tungjatjeta! Shënim: Ishte ndër fare të paktët që thirreshin “zoti” e jo “shoku” pasi zotnitë u zëvendësuan, ose u shkatërruan nga shokët. (47)
Absurdi i krijimeve letrare para viteve 1990 ka lënë gjurmë jo të mira tek autori. Ishte një letërsi bajate, shijekeqe, dhe menjëherë, sa u vendos liria e të shprehurit, kokat ndërruan flamur, maskë, u shkëputën nga letërsia dhe nisën botimet e dorëshkrimeve:
Por shija e keqe që na patën lënë librat e tyre nuk dilte lehtë, edhe sikur të ishe gjithë kohën i dashuruar, ose duke shkruar. (51)
Sapo nisi të përhapej liria e shprehjes, meqë çfarë mendonin a thoshin njerëzit nuk pati më ndonjë vlerë për t’u shënuar, Kokat dhe kronikanët e bisedave u sulën të botonin dorëshkrimet, në një garë marramendëse, pa humbës. (51)
Por ata nuk merreshin me llafe e hamendje. Kishin nisur tashmë fushata të gjera e të gjata për shpëtimin e letërsisë dhe të lexuesit: i shisnin veprat nëpër shkollat fillore dhe gjimnaze, duke ia firmosur secilit lexues të panjollë librin që blinte. Jo pak nga lexuesit u bënë shpejt dishepuj, ithtarë, shqytarë e shkrushtarë të tyre. (51)
Disa shkruanin njëlloj si dikur, ose më keq, ndoshta ngaqë nuk ishin më skllevër të dikujt a të diçkaje. U kish vdekur skllavopronari, si me thënë, dhe qenë gdhirë para letrës së bardhë, e cila është gati e verbër dhe shurdhmemece ndaj shpjegimeve, shfajësimeve, lojnave të kandarëve. E mbushnin pa mëshirë, ose me mëshirën që patën shpërdoruar prej nesh. (52)
(…Mirpo Populli s’kishte si t’i sqaronte Kokat, sepse Kokat nuk pushonin së foluri në emër të Popullit. (Shënim . f.53)
I kish dashur populli, a thua se populli qe ngopur së ngopuri me lugë bosh. Por i ngrati popull ishte shpesh si ai vetmimadhi i pagojë e i pafan (54)
***
Dhe kështu, të përqendruar në lexim sikur marrim shenjë, mbërrijmë te pjesa e gjashtë e titulluar “Gjuheti’” (F.55)
Tashmë i rritur, autori lë mënjanë llastikat për vrasje zogjsh dhe nis t’i kapë zogjtë jo për t’i ngrënë, por për t’i lëshuar:
Nuk vrisja më zogj, por mundohesha t’i kapja me kraza (nuk di a ka lidhje me krahëzat), që thureshin me fije nga bishtat e kuajve, kishin trajtë litarësh për varje të zvogëluar shumë herë, dhe nguleshin në tokë me copëza degësh, mbi thërrime buke misri, gruri, e gjithfarë farash. I kapja jo për t’i ngrënë, por për t’i lëshuar. (55)
***
Libri mbyllet me pjesën e shtatë të titulluar “Gjuheshtja” (F. 62)
Autori na shpjegon këtë neologjizëm si më poshtë: “Titulli erdhi si ndonjë pickim prej Zogu Qiejsh: „Gjuheshtja” dhe shënjonte, si guri zogun, edhe gjuetinë për heshtje, gjuetinë e heshtjes për kuptime e ndjesi të larta, gjuhën që është Heshtje, heshtjen që është Gjuhë. (F. 63)
Vras në gjuhën e krijuesit të përkushtuar ka kuptimin krijoj (aq sa mundem, se ende jam në trup, e „… për sa kohë jemi në trup, jemi larg Zotit” (F33).
Vras – krijoj versus shpëtoj – vras. Ndërsa në gjuhën e shpëtimtarëve zyrtarë: vras është vras, shpëtoj është shpëtoj.” (F. 65)
Në libër nuk mungojnë as përshkrime shumë të bukura. Gjoli (liqeni i Pogradecit) është frymëzues. Falë talentit, bagazhit të madh letrar edhe mjedisi pogradecar është frymëzues:
Llastikat i mbaja në brez, ndërsa njërin prej xhepave e kisha plot me guriçka Gjoli, mbledhur plot përkushtim, si stolí. Ishin gati të mermertë dhe quheshin „gurëzjarri”. Po t’i përplasje mbi ujë, nxirrnin shkëndija si vargjet e paharrueshëm. Po t’i përplasje nën ujë, lëshonin tinguj binjakë me ata të makinave të shkrimit. Nuk hasa më një ngjashmëri aq të madhe tingujsh që shënjonin shkronja krejt të ndryshme. (66)
Kjo është letërsi. Kjo quhet letërsi!
Ky është art elitar të shkruari e të shprehuri!
***
Libri mbyllet me dy thënie të bukura; e para me nota te theksuara humoristike, e dyta si për kompensim, makabreske: Dy nga shprehjet e saj që i mbajta shënim ishin: „Çudi… Se kaçavida kemi sa të duash, këto metafora pse s’i zbërthejmë dot?!” dhe „Erdhi dita ta varim, të shkretin, se jetonte prej aq kohësh i pavarur”.(73)
Libri “Krijime fëminie”, i A.-Ch. Kyçykut, vende-vende është i vështirë për t’u kuptuar, nëse nuk ke jetuar në mijëvjeçarin e kaluar, në atë sistem ku koha dhe Koka prisnin e trullosnin e lëmonin koka; është gjithashtu një libër tejet i vështirë, në mos i pamundur të përkthehet.
***
Leksik me interes në veprën “Krijime fëminie”
E kemi vëzhguar këtë libër edhe nga pikëpamja leksikore.
“Krijime fëminie” ka edhe dobi leksikore. Ai për ne paraqet edhe interes gjuhësor, leksikografik.
Gjatë leximit tonë, nxorëm edhe këto fjalë me interes në lëmin e leksikografisë shqipe:
Breshkaxhi/-u em.m., sh. -nj(të) = ngrënës breshkash. Këtu është fjalë nënçmuese për Italianët. (“Po të kishin qenë vërtet breshkaxhinj, siç i damkoste dynjaja, do ta kishin ngrënë breshkën e Eskilit para se ta kapte shqiponja” (F. 22 Shënimi 8).
Buk(ë)uri, -a em.f. = fjalë e sajuar nga autori: bukë / uri / bukuri. (F.10)
Druç/ë -a em.f. = Kërrabë (në të folurën e Pogradecit). (F.30)
E pajetushm/e, -ja em.f. = jetë që s’mund ta jetosh. (…të pajetueshmen e pamort.) (F.65)
E pashprehshm/e, -ja m.f. diçka që nuk mund të shprehet (emërzim i mbiemrit i pashprehshëm). (…duke e përkthyer …, në shenja pikësimi e heshtje të pashprehëshmen.) (F.65)
Frymëdhëni/e,-a f. sh. -e(t) = e kundërta: frymëmarrj/e,-a f. sh. -e(t) ( Se frymëzimi dikur fashitet, si frymëmarrja e frymëdhënia …) (F. 52)
Frruaj f. = “frruajtur sqepin” = lëmoj për ta hequr, për ta shkurtuar. (Kur sqepi niste e i kthehej drejt fytit për t’i zënë frymën, ajo përkulej ta mprihte pas ndonjë guri a shkëmbi dhe e shkurtonte. (f.17)
Fshehtëisht ndajf. = fshehtas, fshehurazi, në mënyrë të fshehtë. ( … aq hijshëm e fshehtësisht …) (F.36)
Gurçman/ë , -a em.f. = grykë, fyt (Fjalë krahinore në të folmen e Pogradecit) (F.11)
Guz/ë -a dhe shqipk/ë, -a em.f. = Shpezë liqeni, pak më të vogla se pulat, ose sa pulat e uritura, me pendë të zeza, që hanë peshq e barishte nënujore. Për t’u nxjerrë erën e peshkut, para se t’i zienin, gratë u fusnin në bark nga një qepë. Nuk shquhen lidhje të qarta veçse në rrënjën e emrit, mes shqipkave, shqiponjës dhe shqipes (gjuhës). (A.K.)
Gjithçka,-ja em.f. (Ia qante hallin asgjëja gjithçkasë.) (F.37)
I /E dëbortë mb. = borë e bardhë, si (dë)borë. (… plot flutura të dëborta…) (F.43)
I trishtshëm/ e trishtshme mb. = i trishtë, trishtuar (…vetëm dështakët ishin të trishtshëm…). (F.45)
I/E/TË kryengritur mb. = i(e,të) revoltuar. (Ndiheshim të kryengritur sikur nuk kishim parë shpëtimin e jetës së një zogu, por vrasjen mizore të një shkrimtari pa të dytë.) (F.61)
Kokëngrënë mb. = që i kanë ngrënë kokën. (…zog kokëngrënë mes muresh) (F.17)
Krahshkulur (nj.)/ Krahëshkulur (sh.) mb. = që i është shkulur krahu (nj.) / që u janë shkulur krahët (një zogu…) (… si ca zogj krahëshkulur…) (F.63)
Kraz/-ë em.f., -a(t) = lak. (f.55)
Kriptoqyqar/-i em.m., sh -ë(t) Krijim i Ardian Kyçykut nga fjala kripto (i fshehtë) dhe qyqar (f.35)
Kryenofk/ë, -a em.f. = nofkë kryesore. (U vumë kryenofkën Koka) (F.27)
Kureshtem f.vetv. = bëhem kureshtar. (Vetiu u kureshta të dija nëse Koka ishte takuar ndonjëherë me Lasgushin, a njiheshin, e kishin lexuar shoshoqin. (47)
Lexues em.m. = lexues kartash në xhep = njeri tejet i zgjuar (27).
Mbarënjerëzor/e-ja em.f. kompozitë e formuar nga mbarë(krejt) + njerëzor. = Që i përket mbarë / krejt njerëzimit. ( Prometeu i paskësh sjellë zjarrin njerëzimit. Sjellë dhe vënë. Zjarrin e dijes, të frymëzimit, të dashurisë (me në krye atë mbarënjerëzoren), s’e mbaj mend qartë, por jo të skëterrës. (F.10)
Mbinjerëzisht ndajf. = në mënyrë mbinjerëzore. (F.19)
Mësyshj,-e/a em.f., sh. -e(t) = marrje mësysh, sy i keq. (Nuk di pse ajo nofkë sikur më mbronte nga mësyshjet e nga rreziqe të panjohur.) (F.24, shënimi 9.)
Pakrahasimisht ndajf. = në mënyrë të pakrahasuar. (…me duar e pa flatra, duke u fanitur si pakrahasimisht më të çmuara.) (F.64)
Papëkryerj/e,-a em.f. = diçka e paarritur, e papërkryer. (… duke na mpakur mangësitë, papërkryerjet apo shëmtitë që ndjenim se bartnim...) (F.56)
Pavrafshëm (i) mb. (E pavrafshme) = që nuk mund të vritet. Sipas të dhënave të deriatëhershme, vetëm një zog shumëngjyrësh kishte fatin e të pavrafshëmve (F.36)
Përvëlimtar/e mb. = (këtu) e padurueshme. (… duke mbretëruar plot fshehtësi e pritje përvëlimtare). (F.16)
Qenushkë/-a em. f. = kone, qen i vogël femër (…ushkë – prapashtesë zvogëluese tipike për zonëat Pogradec, Korçë, Skrapar etj.) (Qenushkën (f.47)
Skithi/a em.f. =Ish-Kaukazi (F.10)
Stërbetohem f. = bëj be e rrufe, betohem shumë herë. (…për të cilët më vonë u stërbetuan se i bënin nga zori.) (F.19)
Shajnitës ,-e mb. = vegues, vegullues, vegullitës (formuar nga emri shajni) (Ky i fundit pat frymëzuar rënkimin më shajnitës që mund të nxirrte gjuha njerëzore.) (F.16)
Shkrushtar-i em.m., sh. -ë(t) = fjalë e re e krijuar nga Ardian Kyçyku. Një lojë fjalësh shkrues + ushtar, shkrues i komanduar si ushtar, sejmen i një shkrimtari. (Jo pak nga lexuesit u bënë shpejt dishepuj, ithtarë, shqytarë e shkrushtarë të tyre. (51)
Shoshoq em.m (shumës i singularizuar) = shoku-shokun, njëri-tjetrin.
Tjetërgjë,-ja em.f. kompozitë formuar nga tjetër dhe gjë. (…brenda asaj hapësire ku jeta ishte vetë Tjetërgjëja…) (F. 74)
Vagon/i -a(ve) em.m. = Rruzuj të vegjël kushinetash (në të folmen e Pogradecit). (F.30)
Vajtimth,-i em.m. = vajtim (me prapashtesë zvogëluese “th”. (Ndjej vajtimthin e një shpesi (Varg i L. Poradecit, (F.58)
Verdhashk/ë em.f., sh -at = zog fluturues i vogël me ngjyrë të verdhë. (F.33)
Vetmimadh/i e.m. sh. vetmimëdhenj(të) = i vetmuar i brejtur brenge. (F.54)
†††
Terri i Mbidritshëm (F. 74): Zoti, Perëndia. Togfjalësh tejet i çuditshëm. Përdorur me kuptimin Zoti, Perëndia (Krijuesi). (… më rrihte në kujtesë si ndonjë zemër togfjalëshi verbues që e quan Krijuesin „Terri i Mbidritshëm”.) (F.74). Me këtë togfjalësh mund të krijohej një sprovë me frymë zot-perëndi-zofike, por dalim krejt nga lëmi i leksikut. Shkurt, mund të themi se “Terri i Mbidritshëm” (me shkronja të mëdha) është një nocion neologjik mistiko-teozofik i vështirë jo për t’u sqaruar, sepse vetë autori na tregon se bëhet fjalë për Krijuesin, por i ndërlikuar për t’u sqaruar nga ana gjuhësore (e fjalëformimit). Terri i Mbidritshëm (në rumanishte: Întunericul Străluminos, ose Supraluminos) është përdorur nga fillimisht shenjtorët Grigori i Nisës, Dionis Aeropagiti dhe Grigor Palamá. Gjendet edhe në vëllimin VII të Filokalisë. Ja një koment mbi këtë çështje: “… janë tri faza ngjitjeje në njohjen e Zotit: njohja e arsyeve hyjnore të krijesave, njohja e Zotit përmes mohimit të tyre dhe shikimi i Zotit në errësirën mbi dritën, superndritëse (…) E dyta, teologjia përmes mohimit, është vetëm vendi i Zotit. Vetë prania e Zotit është mbi këtë. Faza e parë dhe e dytë e dijes kanë njëfarë dritë në to, sepse ato nuk janë krejtësisht të keqkuptuara. E treta është një errësirë mbi këto drita, por një errësirë superdrite, sepse, nga njëra anë, kjo dritë është më e pakuptueshme se dy fazat e para të dijes, nga ana tjetër, në të është një prani më e pasur, më e thellë, më e drejtpërdrejtë e Zotit”[1]. Në dijeninë tonë termi “I Mbidritshëm” (në shqipe), është përdorur për herë të parë nga Ardian-Christian Kyçyku. Nocioni Terr,-i nuk paraqet asnjë vështirësi për t’u kuptuar. Ndërsa mbiemri “i Mbidritshëm” po, sepse shqipja nuk ka fjalë as emërore (mbidrit/ë, -a), as mbiemërore (i mbidritshëm). Pjesa e parë e togfjalëshit (Terri) do të thotë se Zoti është i panjohshëm, është dritësyshverbues, pra, praktikisht e thjesht Terr. Pjesa tjetër, “i Mbidritshëm”, hamendësojmë se do të thotë që Drita vjen nga lart (mbi), dhe shenjë e këtij Terri dritëlëshues, është drita nga Lart, një dritë aq e fortë, sa po të duash ta shikosh, çdo gjë të terratiset, dhe nga ai “Terr” buron dhe zbarkon Dritë mbi Tokën, në sytë e Vdekatarëve. E si mund të shikojmë Terrin dritëdhënës, kur ne nuk shohim dot as lëmshin e tij, Diellin, me sy të lirë?
Vigjilje këndelljesh të krishtera
Shënëndre, 2021
[1] Shih: www.doxologia.ro