Më shumë se një muaj pas ngjarjes është arrestuar në Tiranë autori i plagosjes me armë zjarri në 9 dhjetor të vitit të kaluar në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë. 26-vjeçari Markeljan Beqiri, që është vendosur në pranga akuzohet se tentoi të vrasë me armë zjarri Arni Sulejmanin 20-vjeç.
Tentativa e tij dështoi dhe i riu mbeti i plagosur, pa rrezik për jetën. Beqiri u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Linza” pas informacioneve se po qarkullonte me makinë në segmentin rrugor Linzë-Surrel. Ai akuzohet për katër vepra penale, jo vetëm tentativë vrasje, por edhe “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Por si ndodhi ngjarja?
Në datë 9 Dhjetor Markeljan Beqiri ishte në një dhomë hoteli së bashku me tre persona të tjerë, një vajzë dhe dy djem. Në dhomë në momentin që ndodhi ngjarja ishin Arni Sulejmani, Markeljan Beqiri, Tefik Shehu dhe Anxhela Brisku. Por për shkaqe të paqarta, 26-vjeçari tentoi të vrasë me armë zjarri Arni Sulejmanin.
Markeljan Beqiri dhe Tefik Shehu u larguan nga dhoma e hotelit, ndërsa 20-vjeçarja fshehu armën e 26-vjeçarit, me të cilën ai tentoi të vrasë Arni Sulejmanin.
g.kosovari