Një operacion i policisë italiane shkatërroi dy grupe kriminale që vepronin në fushën e shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
27 persona janë arrestuar në Romë, mes të cilëve ka edhe shqiptarë. Corriere raporton se një nga grupet drejtohej nga një shtetas shqiptar me precedent të mëparshëm penal. Emri i tij nuk është bërë publik, por sipas shtypit italian, thuhet se ishte mik me Fabrizio Piscitelli, i njohur si Diabolik, i cili ka qenë kreu i tifozërisë së ultrasve të ekipit të Lazio. Piscitelli është vrarë në vitin 2019.
Dy grupet kriminale që u shkatërruan kanë qenë rivale mes tyre dhe vazhdimisht ishin në luftë me njëra-tjetrën për kontrollin e territorit.
Sipas hetuesve, organizatat kanë patur hierarki të mirëpërcaktuar dhe ishin të strukturuara. Akuzat e ngritura ndaj të arrestuarve janë për trafikun e drogës, armëmbajtje pa leje, zhvatje etj.
Operacioni i policisë italiane në Romë për shkatërrimin e dy grupeve kriminale u finalizua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
/a.r