Në fokus të qeverisë, masat që pritet të vijojnë të merren në mbrojtje të popullatës deri në përfundimin e pandemisë do të jetë sigurimi i vaksinave për dhënien e dozës të tretë dhe vaksinimi për fëmijët e moshës nën 18 vjeç, dhënia e bonusit prej 1,000 eurosg për mjekët dhe infermierët dhe vazhdimi i paketës së dedikuar për rimbursimin e barnave.
Në projektvendimin e Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë të “Programit të reformave ekonomike për periudhën 2022-2024”, i publikuar në konsultimet publike thuhet se deri në pranverën e 2022, qeveria parashikon të sigurojë rreth 5 mln doza të vaksinave në mbrojtje të Covid-19 nëpërmjet mekanizmit Covax.
“Në një kohë rekord është arritur të garantohen rreth 3 milionë doza vaksinash dhe deri në fund të pranverës, përmes mekanizmit COVAX dhe kontraktimit të drejtpërdrejtë me prodhuesit dhe shpërndarësit e autorizuar do të garantohen 5 milionë doza për të nisur edhe aplikimin e dozës së tretë dhe doza dhe për fëmijët nën 18 vjeç sipas rekomandimeve të OBSH dhe ICD”, citohet në projektvendim.
Në Shqipëri, fushata e vaksinimit nisi në shkurt 2021, ndërsa prej disa muajsh ka nisur dhënia e dozës përforcuese. Doza e tretë është marrë nga 162,000 persona sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë. Shqipëria vijon të ketë numrin më të ulët të të vaksinuarve me dy doza.
Nga fillimi i fushatës të vaksinimeve në shkurt të 2021 deri tani, sipas të dhënave të Our World in Data në Shqipëri rezulton 37% e popullatës të ketë marrë të dyja dozat e vaksinës. Në Maqedoninë e Veriut, të vaksinuarit zënë 39%, në Kosovë dhe Malin e Zi 40%, në Serbi 47% të popullatës, Kroaci 53% dhe Greqi 65%. Për shtetet e BE-së mesatarja e të vaksinuarve me dy doza zë 63% të popullatës.
Bonusi i mjekëve
Deri në përfundimin e pandemisë nga Covid-19 mjekët dhe stafi i tyre ndihmës do të vazhdojnë të përfitojnë bonusin nga 500 deri 1,000 euro. Prej vitit 2020 kur nisi pandemia e Covid-19, për stafin mjekësor që ishin në vijën e parë për kurimin e pacientëve të infektuar, Ministria e Shëndetësisë nisi mbështetje e veçantë financiar ofruar nëpërmjet mekanizmit të bonusit prej 1,000 euro mbi pagën për të gjithë personelin mjekësor dhe 500 euro mbi pagën për personelin ndihmës.
Parashikohet që shpërndarja e bonusit për mjekët dhe stafin ndihmës mjekësor do të vazhdojë të ofrohet deri në përfundimin e pandemisë së COVID-19. Nga marsi i 2020 e deri më tani janë rreth 4,000 personel mjekësor kanë përfituar 1,000 euro bonus dhe mbi 1200 staf ndihmës kanë përfituar 500 euro bonus mbi pagën.
Gjithashtu në projektvendimin e programit ekonomi thuhet se brenda vitit 2022 do të jetë përfunduar modernizimi i infrastrukturës së Spitalit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë që do të garantojë dyfishimin e kapacitetit të pacientëve.
Në zbatimin e masave në kuadër të pandemisë është përfshirë edhe vazhdimi i trajtimit nëpërmjet paketës së dedikuar të listës së rimbursimit të barnave për të gjithë pacientët që janë të infektuar nga Covid-19, si dhe një paketë të plotë trajtimi sipas praktikave dhe protokolleve më të mira ndërkombëtare për të gjithë pacientët tanë që do të kenë nevojë për trajtim spitalor./monitor
g.kosovari