Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e cilëson të vjetëruar termin vëlla, me të cilin kryeministri Rama dhe presidenti Erdogan i drejtohen njëri-tjetrit.
Në studion e lajmeve të MCN, Milo komentoi vizitën e Erdogan në Tiranë dhe theksoi se një mënyrë e tillë komunikimi nuk është e përshtatshme për marrëdhëniet ndërshtetërore, duke pasur parasysh se Shqipëria ka 4 komunitete fetare.
“Ky emërtim tashmë i vjetër në fjalorin politik dhe marrëdhëniet Shqipëri-Turqi mua më duket grotesk, për të qenë i sinqertë. Ne kemi marrëdhënie më të ngushta me SHBA, por nuk i themi njëri-tjetrit vëlla. Është një zakon që vjen nga tradita osmane.
Patjetër që fakti që Shqipëria ka një popullsi të besimit mysliman dhe kjo fjalë përdoret më shumë në këtë besim, kjo mund të lejohet në marrëdhëniet individuale por jo ndërshtetërore. Sepse Shqipëria është vend i 4 komuniteteve fetare”, tha ai.
Mungesën në axhendën e Erdogan të një takimi me homologun Meta, Milo e cilësoi një qëndrim të qartë, arsyet e të cilit mbeten të panjohura:
“Kjo ndodh për arsye të ndryshme, por që qartazi është një qëndrim. Nuk duhet të fshihet pylli prapa gishtit ose prapa pemës. Fakti që Erdogan nuk e takoi homologun e tij, kryetarin e shtetit, është fakt i dukshëm dhe domethënës, që do të thotë që e ka refuzuar, por cila është arsyeja e këtij refuzimi, kjo hap një fushë të gjerë për komente.
Renditjen e Turqisë nga kryeministri Rama krah partnerëve strategjikë si SHBA dhe BE, Milo e sheh si një element që nuk do të kalojë pa vëmendjen e fqinjëve, por edhe të vendeve europiane:
“Unë e dëgjova deklaratën që u bë sot pasdite, sipas të cilës pas SHBA dhe BE, Turqia është vendi më partner strategjik se kushdo tjetër. Nuk e di sa e goditur mund të ishte ky vlerësim, por patjetër vendet e tjera fqinje mbajnë shënim. Ashtu siç mbajnë shënim edhe vendet e tjera të BE. Është konsideruar Turqia si partner strategjik, por pa bërë dallimin se vjen pas SHBA dhe BE”.
/b.h