Sot më 17 janar shënohet përvjetori i 554 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili vdiq në 17 Janar të 1468-ës, dhe u varros në Lezhë, aty ku ai kishte themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës.
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng si nizamë pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.
Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strateg dhe burrë shteti i madh, udhëhoqi luftën për liri e pavarësi kundër pushtimit osman, për bashkimin politiko- shtetëror të popullit shqiptar. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare. Figura e Heroit tonë Kombëtar lidhet më luftën më se njëshekullore kundër pushtimit osman.
Lufta e shqiptarëve me në krye prijësin e tyre shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar. Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shënkollit të qytetit të Lezhës, Skënderbeu mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Si drejtues i Kuvendit theksoi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të Shqiptarëve. Ai ishte Kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.
g.kosovari