Nga Ylli Pata
Prej kohësh po përjetojmë në opinionin publik një realitet më shumë virtual sesa në terren, një polarizim të skajshëm politik.
Ku si argument politik i ditës është “flirtimi” me rivalin apo kundërshtarin politik. Po përdoret morali i rremë i “pastërtisë” që njëra palë nuk duhet të diskutojë e bashkëpunojë, por të sulmojë e rrëzojë kundërshtarin.
E si rasti më i fundit ishte një deklaratë paraprake e Edi Ramës drejtuar mbështetësve të PD-së pas dhunës së 8 janarit, e më pas një bashkëbisedim, me ata që donin një komunikim në rrjetet sociale.
Se sa i vërtetë, e sa i thellë ishte komunikimi i Edi Ramës me anëtarët e PD-së, kjo duhet parë, megjithatë kryeministri e dha një mesazh publik pas tmerrit të 8 janarit në godinën e Partisë Demokratike.
Ishte Mustafa Nano i pari, por edhe të tjerë që sulmuan Ramën, e i bënin thirrje që të mos provokojë e të rrijë larg demokratëve.
Dakord, por i gjithë ky nxitim është më shumë një perceptim së paku semplist, e që nuk ka bazë në realitet.
E para Edi Rama është një aktor politik në fushë, e mund të dërgojë mesazhe publike për këdo. Jo demokratëve? Provokacion në këtë situatë të rëndë? Nuk është ndonjë gjë e re në fakt, pasi edhe Sali Berisha, edhe Lulzim Basha, edhe Ilir Meta e të tjerë, kanë dhënë mesazhe për socialistët në kohë krize, madje kanë bërë manovra për të depërtuar në frontin kundërshtar.
E dyta është realiteti politik që askush nuk e përmend, por që është një fakt dy dekadash. Edi Rama, është një nga, në mos i vetmi lider i së majtës që ka marrë rregullisht vota jashtë “gardhit” politik të së majtës.
E këtë e ka realizuar me anë të një aksioni të gjatë e konsistent që kur i hyri betejës për kreun e bashkisë së Tiranës.
Flitej për 12 mijë deri në 20 mijë vota që Edi Rama i ka marrë në mandatin e parë, të dytin, madje edhe të tretin në përballjen me Sokol Olldashin, në basenin politik të qetë të së djathtës.
E këtë Rama nuk e ka bërë natyrisht jo vetëm me thirrje e diskutime, por edhe afrime të njerëzve, grupeve apo edhe zërave që vijnë jashtë të majtës.
Përfaqësues të lëvizjes së dhjetorit, duke nisur nga Blendi Gonxhe, ish-të përndekur politikë të regjimit komunistë, biznesmenë afër PD-së, apo edhe njerëz që kanë histori në PD e në harkun e së djathtës janë prej vitesh ai që mund të konsiderohet enturazhi i tij i afërt.
Në këtë logjikë, Rama ka pasur një kundërshti mjaft të fortë nga e majta, pasi disa herë socialistë të ndryshëm që e kanë konsideruar këtë si dëshmi e mos alokimit natyral të Edi Ramës në të majtë.
Për të ardhur më pas tek sjellja e eshtrave dhe nderimi shtetëror i Mit’hat Frashrit me një fjalim kryeministror, ç’ka ishte një sinjal i fortë për të djathtën nacionaliste shqiptare.
Mund të ketë realisht mjaft akuza e kritika ndaj Edi Ramës, apo edhe pretendime se ai është provokator në këtë gjendje që ka pllakosur demokratët etj.
Megjithatë, këtu kemi një realitet që nuk është i ri, por që ndodh vazhdimisht, thjesht ajo pjesë e opinionit që ka fetën e Prime Time-s në televizione nuk ka dashur ta analizojë. Është marrë vetëm me kundërthëniet, të cilat janë vetëm një anë e medaljes. Mesazhi politik kur jepet, ka edhe anën racionale të atyre që dëgjojnë; pak, pak por kështu nis gjithçka.
E thelbi i këtij mesazhi meqë ra fjala, ishte për të lënë polarizimin e kthimin në një fazë më të qetë e normale të politikës shqiptare. E këtu, Edi Rama nuk është i vetmi, e kanë thënë shumë zëra të tjerë si; Preç Zogaj apo edhe aktorë të tjerë poublikë, jo vetëm ë paangazhuar por edhe pjesë të grupimeve politike në vend; në një formë apo formë tjetër. Analistët tanë nuk është hera e parë që kapen gafil nga realiteti që thjesht s’duan ta pranojnë…
Dhe megjithate Rama kurre nuk ka qene i majte