Nga Mustafa Nano
Opozitarizmi shqiptar matet me urrejtjen ndaj Edi Ramës. Ky është kuti, dhe demokratët kanë qenë në vijimësi në garë me sho-shoqin se kush ta urrejë më shumë, me gjithë shpirt, kundërshtarin, ose kush të shfaqë më shumë urrejtje, s’ka gjë se në të vërtetë mund të mos ketë ndonjë urrejtje kushedi se çfarë. Kjo është karakteristika kryesore e opozitarizmit shqiptar prej vitit 2013. Është stili berishian i ballafaqimit me kundërshtarin. Është edhe një mënyrë për t’u identifikuar politikisht. Kundërshtari shpallet armik, delegjitimohet, diabolizohet, dhe me të nuk mund të ketë ura komunikimi.
Kështu është vepruar me Nanon, me Metën, me Majkon, me Mejdanin, e tani me Bashën. Dhe këtë stil më mirë se kushdo e ka bërë të vetin Basha d.v., i cili për mua është kopja më besnike e Berishës. E pas tij, gjithë të tjerët, që nga më të rafinuarit e deri te ata, prej të cilëve ti e pret një gjë të tillë. Kujt i shpëtojnë fraza apo gjeste të shkujdesura, që nuk e bartin a shprehin këtë armiqësi e urrejtje ndaj Ramës, duhet ta dijë se do të japë llogari një ditë.
Ju kujtohet se ç’ndodhi para një jave? Lulzim Basha shkoi në shtëpinë e Irfan Hysenbelliut, apo ndoshta në një bar-restorant, ku boss-i i njohur i medias, tok me familjarët, prisnin ngushëllime për nënën që kishte ndërruar jetë. Në të njëjtin vend u tha se ishte edhe Erion Veliaj e Taulant Balla. Nuk dihet nëse kanë qëlluar në të njëjtën kohë. Nuk ka asnjë provë për këtë. Dhe këtë po e theksoj për saktësi të kronikës, e jo sepse ka rëndësi. Nuk ka fare rëndësi. Mirëpo, Berisha klithi me të madhe se Lul Pengu është takuar me Veliaj e Ballën.
Ky ishte një rast shumë i mirë që Basha të bënte diferencën e ta tregonte veten ashtu si kanë pasur qejf ta vizatojnë të vetët në mënyrë të sforcuar, dmth si politikan me stof perëndimor. Ishte një rast i mirë pra për të dalë e për të thënë: “Kam takuar Veliajn e Ballën? E ç’ka këtu për t’u skandalizuar? I gjeta brenda, apo më gjetën brenda, dhe u takuam. Doni të më kryqëzoni për këtë? Jeni të çmendur? Nuk është turp t’u japësh dorën kundërshtarëve politikë. Turp është të bësh të kundërtën.” Edhe sikur të mos kishte ndodhur fare kjo ngjarje, ai do duhej të bënte sikur kishte ndodhur, në mënyrë që ta normalizonte në sytë e të gjithëve një gjest që prej Berishës e berishianëve konsiderohet i poshtër, i lig. Ky do të ishte shërbimi më i mirë që ai do t’i bënte politikës e publikut.
Mirëpo Basha bëri të kundërtën. Ai u ndie i fyer për këtë shpifje, dhe zuri të jepte prova apo në një farë mënyre të betohej e stërbetohej se kjo nuk ishte e vërtetë e nuk kishte se si të ishte e vërtetë. I tha publikut: “Shikoni se deri në ç’pikë ka arritur ligësia e Sali Berishës”!!! Edhe mbështetësit e tij bënë të njëjtën gjë në publik. Po prisja një demokrat, një të vetëm, që t’ia bënte të qartë Berishës se nuk ka asnjë mëkat apo krim në këtë mes, edhe sikur të ketë ndodhur, se mëkat është që takime të tilla të shmangen a të damkosen etj., etj. Por jo, nuk qe e thënë.
Një rast tjetër. Para disa orësh, mediat berishiane (janë gjithnjë po ata) publikuan foton e një deputeti të Vlorës, Arbi Agalliu, me Edi Ramën. Dhe komentet ishin: “Ja, deputeti i Lul Pengut, u takua me padronin”. Deputeti në fjalë bëri një hap të mirë përpara, ndonëse jo të plotë. Hapi i plotë do të ishte, nëse do t’u drejtohej atyre që po e padisnin për këtë foto të pafajshme me fjalët: “Refuzoj të marr pjesë në këtë lojë të shëmtuar, që bëhet nga mendje të varfra e të mjera; refuzoj të justifikohem për një gjest të tillë. Do të të më vinte turp po të justifikohesha. Dhe përbuz këdo që kujton se më bën me turp për atë foto.”
Për fat të keq nuk bëri këtë. Por, siç thashë, bëri një hap përpara. Tha (po e riprodhoj pikë për pikë prej website-it të televizionit ABC News, ku atë e intervistuan): “Nuk ka asgjë më shumë sesa duket në foton e nxjerrë si sensacion nga specialistët e manipulimit dhe të dhunës verbale e fizike. Është një përshëndetje 2 muaj më parë (13 nëntor), siç këmbehen 2 njerëz në të njëjtin mjedis dhe kaq! Në kulturën dhe formimin tim nuk kam asnjë kompleks të përshëndes këdo. Në jetën time profesionale kam takuar dhe do takoj pafund njerëz me bindje të ndryshme politike, me pozicione të ndryshme e statuse të ndryshme. I besoj sjelljes qytetare dhe profesionale.”
Ju duket se ky është një hap i madh përpara që e sfidon disi kulturën politike shqiptare, e sidomos kulturën e palës, së cilës ai i takon? Ok, edhe mua kështu më duket. Më vjen mirë që ka ndodhur. Më vjen keq që më vjen mirë, sepse është thjesht një gjest gjysmak, por në të njëjtën kohë më duhet ta pranoj se është një gjest i rrallë. Nuk është e lehtë të bësh gjeste të rralla në një shoqëri si kjo e jona.
Kam një dyshim, megjithatë, që dua të shpreh. Kam dyshimin që është rrethana politike që e ka esëlluar e emancipuar deputetin. Sikur PD-ja të mos ishte e ndarë e sikur të mos ishte ky konflikt Basha-Berisha, ai do të ndihej i fëlliqur prej asaj fotografie. Qofsha i gabuar, por unë besoj se është kështu. Do ndihej i fëlliqur nën presionin e kulturës shtypëse berishiane, prej së cilës sapo ka shpëtuar.
Urrejrja per kundershtarin eshte pasoje e anormalitetit mendor dhe my ngese kulture
Muc, kur do i thua gjerat tamam!