Provinca e Quebec në Kanada vendos të penalizojë të pavaksinuarit me gjobë. Vendimi që u mor një ditë më parë, sipas zyrtarëve të shtetit, i shikon të pavaksinuarit si një barrë për sistemin shëndetësor ndaj ka vendosur që vlera e gjobës të jetë e konsiderueshme për ta.
Një ditë pasi provinca kanadeze njoftoi se do të penalizojë financiarisht të pavaksinuarit, Ministri i Shëndetësisë i provincës tha se u shtua interesi i të pavaksinuarve për të marrë dozën e parë të vaksinës, duke e cilësuar këtë ngjarje si shumë inkurajuese.
Gjoba për të pavaksinuarit nuk do të zbatohet për ata me përjashtim mjekësor.
Në një konferencë për covid-19 të mërkurën, kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ai do të shihte nëse ndëshkimi financiar në Quebec për të pavaksinuarit do të ishte një politikë e mirë, duke thënë se ai duhej të shihte detaje të mëtejshme.
Javën e kaluar, Quebec, ku jetojnë gati një e katërta e të gjithë kanadezëve, njoftoi se banorët do të duhet të vaksinohen për të blerë alkool ose kanabis. Dëshmia e vaksinimit kërkohet për të ngrënë në restorante, për të shkuar në palestër ose për të marrë pjesë në ngjarje sportive.
Zyrtarët e shëndetit publik thonë se shumica dërrmuese e pacientëve në spitalet e Quebec mbeten të pavaksinuar.
/a.r