Babai i gruas greke të vrarë nga Klodi Lesi është shprehur se dhëndri i tij erdhi posaçërisht për t’i vrarë të bijën. 41-vjeçarja u vra me thikë nga bashkëshorti i saj 34-vjeçar, më 6 janar, në Ormilia të Selanikut. Lesi e goditi shtatë herë me thikë të shoqen, në prani të djalit 4-vjeçar, të cilin e mori me vete kur u largua.
Në një intervistë për gazetën greke “Protothema”, babai i viktimës është shprehur se “kam humbur vajzën time, dhe dua të gjej një mënyrë të sigurt për të gjetur nipin tim”. Më tej ai ka treguar se ka qenë në kundërshti ndaj martesës së vajzës së tij, por më pas është pajtuar me vullnetin e saj. “Është e rrezikshme, unë do ta përshkruaj atë si: ujku i rrezikshëm, ish-dhëndri im. Kam frikë për jetën e nipit tim dhe lutem që dikush të më ndihmojë për ta gjetur atë”, ka rrëfyer për gazetën greke, babai i 41-vjeçares. Sakaq, ditën e ngjarjes, mediat e huaja raportuan se çifti i bashkëshortëve ka qenë në prag divorci. Ky fakt është konfirmuar edhe nga vetë babai i viktimës, i cili ka thënë: “Vajza ime ka qenë në prag divorci me shqiptarin, por pas këmbënguljes së tij, ata u ribashkuan sërish. Por unë edhe këtë herë nuk kam qenë dakord me këtë gjë, edhe pse ishte vajza ime që vendoste se çfarë do të bënte”. “Ishte e qartë se ata nuk përshtateshin me njëri-tjetrin, pasi shqiptari ishte me arsim të ulët dhe moshë më të re se vajza ime. Ata u takuan rreth gjashtë vjet më parë dhe pastaj filluan edhe lidhjen e tyre. Vajza ime ishte natyrë artistike, e angazhuar në pikturë dhe vajzë e arsimuar. Nuk mund ta mendoj këtë që i ndodhi asaj”, ka treguar ai më tej.
Kërkimet për vrasësin ende vazhdojnë, me të dhëna kontradiktore për vendndodhjen. Fillimisht u mendua se ai ishte kthyer në Shqipëri, por disa persona janë shprehur se e kanë parë në Patra.