Prokuroria e Tiranë në një njoftim për mediat sqaron se po vijon hetimet për protestën e ndodhur në datën 8 Janar në godinën e Partisë Demokratike.
Në një njoftim për mediat, prokuroria bën me dije se deri tani ka firmosur 34 urdhër-arreste, dhe personat e arrestuarit akuzohen për “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi: dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone, përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre, mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve, si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë.
Më tej organi i akuzës bën me dije se janë sekuestruar pamjet filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore, janë marrë në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin”, theksohet më tej në njoftim.
/a.r