Nga Roland Qafoku
Sali Berisha dhe mbështetësit e tij nuk arritën ta merrnin me dhunë selinë e Partisë Demokratike, por ama edhe Lulzim Basha nuk arriti ta mbajë selinë pa dhunë. Madje nuk kërceu as vallen e Osman Takes siç premtoi live 3 orë para protestës kur u fut në zyrë. Ajo që ndodhi të shtunën e 8 janarit në selinë qendrore tregoi qartë fare se Partia Demokratike as nuk merret me dhunë, por as nuk mbahet me dhunë. Realja është se Sali Berisha dështoi të realizonte planin e tij për ta nxjerrë Lulzim Bashën nga zyra e kryetarit siç kishte premtuar, ndërkohë nga ana tjetër Lulzim Basha e fitoi vërtetë zyrën e kryetarit dhe selinë, por ama ka humbur partinë. A është kush që mund të thotë me siguri sa është mbështetja e Bashës në këto momente në PD? Ato pesë orë protestë dhe përplasje me policinë treguan se jo vetëm kjo ngjarje është e paprecedent, por është shembulli më negativ që për të zgjidhur atë që kemi kërkuar gjithnjë, demokratizmin e opozitës, u përdor dhuna. Një dhunë që nuk justifikohet as nga mbështetësit e Berishës të cilët më të drejtë kërkojnë një parti demokratike por që nuk kanë asnjë të drejtë që të përdorin dhunë. Dhuna nuk justifikohet as nga mbështetësit e Lulzim Bashës që me të drejtë ruajnë formalisht postin zyrtar por pa asnjë të drejtë ta mbrojnë atë dhe selinë duke blinduar dyer, dritare duke e kthyer selinë e të parës parti opozitare në historinë moderne në Shqipëri a thua se ishte kalaja e Krujës dhe po e sulmonte ushtria osmane.
DHUNA NUK MUND TË ZGJIDHË KURRË PROBLEMET E PD
Çfarëdo të ndodhë, çfarëdo të kërkohet dhe çfarëdo të synohet, ajo që është e çimentuar mirë në këto 31 vjet në Shqipëri është se asnjë institucion shtetëror, apo privat, nuk mund të merrte me dhunë. Dhe këtu nuk bën përjashtim as selia qendrore e Partisë Demokratike. Përpjekja e mbështetësve të Sali Berishës për të hyrë në ambjentet e PD dështoi pikërisht me këtë arsye të madhe. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë përpjekje dhe nuk mund të ndodhë as në vitin 2022 që një individ apo një forcë politike të përdorë dhunë për të arritur synimin e tij. Në fakt Berisha këtë e di mirë. Në këto 31 vjet ai është prijësi i shumë protestave të dhunshme. Protestat e shkurtit të vitit 1998 në Shkodër, të 14 shtatorit të vitit 1998 ndaj kryeministrisë dhe ministrive në Tiranë, sulmi me armë ndaj komisaritit në Tropojë në vitin 2001 dhe protestat dhe sulmet me molotov në vitin 2002 kanë qenë të drejtuar prej tij por duken duken sikur kanë ndodhur dje. Në asnjë nga këto raste nuk ka fituar dhe triumfuar dhuna. Berisha çdo fitore që ka në krye të PD ose në krye të shtetit e ka bërë nëpërmjet zbatimit të ligjit. Madje ka meritën që edhe i ka mbrojtur institucionet nga dhuna kur ka qenë kryeministër. Kështu që përpjekja e 8 janarit për ta marrë me dhunë selinë e PD-së dhe “marrjen e Bashës hopa për ta nxjerrë jashtë” nuk vlejti e as ka për të vlejur kurrë. Vërtetë dhuna ka raste si në të kaluarën që i tërheq disa njerëz. Por kurrë dhuna nuk tërheq masën e madhe të njerëzve e aq më tepër që dhuna të frymëzojë. Prandaj arsyeja kryesore e dështimit të Berishës ditën e shtunë ishte dhuna.
BASHA PO PËRDOR METODAT E BERISHËS PËR MBAJTJEN E POSTIT
Sali Berisha dhe mbështetësit e tij nuk arritën të realizonin planin e tyre për nxjerrjen e Lulzim Bashës jashtë zyrës dhe selisë së PD-së edhe për një arsye të thjeshtë. Lulzim Basha në stil dhe natyrë është shndërruar në një Berishë të vogël. Jo vetëm se ka qendruar pranë tij, jo vetëm se ka qenë pjesë e planeve të tij, por tashmë është në stilin dhe markën e Bashës që të përdorë metodat që Berisha ka përdorur dikur për të mbajtur postin, për të mbajtur karrigen e vet qoftë edhe me metoda jodemokratike. Madje mund të themi se me bunkerizimin, blindimin, mbrojtjen dhe kundërsulmim e të shtunës ia kaluar atij. Kjo është një arsye jo e vogël që Sali Berisha dështoi në nxjerrjen e tij jashtë dhe marrjen e selisë.
LEHTËSIA E PLANIT PËR TË NXJERRË BASHËN NGA ZYRA
Në fakt shumica e kuptoi se Sali Berisha dhe mbështetësit e tij e morën me shumë lehtësi aksionin e të shtunës. Nëse i pyesje të gjithë duke nisur që nga vetë Berisha e deri te mbështetësi i fundit përsërisnin: Kjo punë ka marrë fund. Të shtunën Lulin e nxjerrim nga zyra. Ishte një lëhtësi e thënë që gjithmonë të linte me habi. Fakti është që Basha në të gjitë këtë betejë nuk është treguar i dobët. Është hera e parë që ai ka bërë të fortin dhe nuk është tërhequr në asnjë moment. Nuk ka menduar asnjëherë dorëheqjen nga posti i kryetarit dhe nuk ka menduar ta lërë karrigen me çdo çmim qoftë ai. Kjo lehtësi e Berishës dhe e mbështetësve të tij u duk te ajo që nuk e menduan se Basha do blindonte dyer dhe do merrte ato masat duke e kthyer PD-në në një mini Trojë. Djaloshi që godiste pa shpresë me vare derën e jashtme të blinduar të PD-së ishte simbolika se sa lehtë si e kishin menduar kundërshtarët e Bashës të futeshin në seli dhe se si e kishte menduar vetë Basha. Mbështetësit e Berishës e menduan lehtë që Basha do ta linte PD e lirë siç kishte qenë dhe atyre u mjaftonte një mësymje dhe do ta nxirrnin Bashën nga zyra. Kjo as nuk mund të ndodhte e as nuk ndodhi.
MUNGESA E MBËSHTETJES SË GRUPIT TË DEPUTETËVE TË VETË
Ajo që ra në sy në ato pesë orë protestë të 8 janarit ishte fakti që në krye vërtetë qendronte Berisha, por në krah të tij mungonin deputetët mbështetës dhe figura të tjera të rëndësishme të PD-së. Pas Berishës që nuk iu nda në asnjë moment ishte deputeti Flamur Noka. Pak më larg u dukën Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi dhe Belind Këlliçi. Në rrethina dukej rrallë Agron Shehaj e Luçiano Boçi. Por ne nuk na zyri fare syri deputete e tjerë që kanë mbajtur qëndrim hapur ndaj Berishës. Ku ishin Edi Paloka, Edmond Spaho, Isuf Çelaj, Bujar Leskaj, Luan Baçi, Tritan Shehu e Sorina Koti? Unë e kisha menduar që rreth Berishës do ishin të 13-të deputetët pro tij. Madje jo vetëm ata por edhe Buajr Nishani, Jozefina Topalli, Edith Harxhi e të tjerë. Kjo do ti jeptd serizoitet protestës dhe isha po aq i bindur se asgjë nuk do bëhej me dhunë. Por në fakt mungesa e tyre ra shumë në sy. Me përjashtimet e mësipërme protesta ngjante si të ishte një zemër ekstrem ndaj zyrës së një seksioni dhe jo ndaj selisë qendrore të PD.
PREMTIMI SE DO JETË AI KRYETARI I RI I PD DHE KRYEMINITRI I ARDHSHËM
Një nga arsye e fortë përse Berisha dështoi në aksionin e tij politik është se ai ka premtuar se do jetë kryetar i PD dhe më pas kryeministër. Padyshim që Sali Berisha ka meritën për aksionin e tij “Foltore”. Nuk ka fare rëndësi për çfarë e nisi dhe nëse ka interesin e vete aty brenda. E rëndësishme është se “Foltorja” e shkundi PD-në dhe Berisha arriti të grumbullojë rreth vetes jo pak mbëshetës dhe nisi një proces që shumë do të donin ta shikonin të ndodhte në PD. Por këtu mbaronte dhe duhet të mbaronte aksioni politik i Berishës. Premtimi i tij se do ishte ai kryetar i ardhshëm i PD-së edhe pasi të largonte Edi Ramën kryeministër, e ka sfumuar jo pak lëvizjen e tij. Kjo ka bërë që edhe mbështetësit e vetë të mendojnë se Berisha po e bën këtë vetëm e vetëm për hallin e tij personal dhe jo për demokratizimin aq të dëshiruar të PD. Një rikthim i Berishës në krye të PD-së do ishte padisktuim i gabuar. I gabuar në të gjitha aspektet. Jo vetëm se cikli i tij politik ka 9 vite që ka mbaruar por edhe cikli biologjik gjithashtu. Nëse bëjmë një llogari hipotetike në një fitore të mundshme të PD në zgjedhjet e vitit 2025, i bie që Berisha të bëhet kryeministër në moshën 81 vjeç. Ejj, prisni! Nuk është llogari normale kjo. Shumë njerëz e mendojnë se ky është problem i madh. Dhe kjo ka bërë që mbështetësit të duken gjithnjë e më pak rreth tij dhe rreth selisë së PD-së.
PREMTIM PREJ PESË MUAJSH SE BASHA NUK ËSHTË MË KRYETAR I PD
Më 9 shtator kur Berisha nisi aksioin e tij politik “Foltore” u bë premtimi se për punë javësh Lulzm Basha nuk do ishte më kryetar i PD-së. Në tetor u tha se Basha nuk ishte më kryetar. Ai quhej madje ish-kryetari. Më pas akoma, u premtua se në Kuvendin Kombëtar të PD më 11 dhjetor Basha do shkarkohej dhe do largohej. Më pas akoma, më 18 dhjetor, me mbajtjen e referendumin u tha se ai ishte shkarkuar. Më pas u bë një ultimatum se në 5 janar Basha duhet të dilte nga zyra se anëtarësia e PD do shndërrohej në përmbarues. Në fakt, që nga shtatori deri më sot kanë kaluar katër muaj dhe Basha jo vetëm që nuk ka ikur si kryear por ai e mban me forcë dhe me vendosmëri zyrën e kryetarit. Ky premtimi i vazhdueshëm se ai do ikë por prisni edhe dy tre javë apo dy tre ditë tashmë është bërë inflacionist. Ky premtim në masën e demokratëve i ngjan atij pretimit të tetorit të vitit 1997 kur po në PD dëgjohej se PS për dy tre muaj binte nga pushteti. Në fakt PS qendroi 8 vjet në pushtet. Basha nuk mund të largohet me premtime fjalësh por me veprime juridike politike. As forumi zyrtar i PD e as gjykata nuk kanë marr vendim të tillë. Kështuqë pretime për premtime sollën arsyen e radhës përse Berisha dështoi për largimin e Bashës nga zyra dhe selia e PD-së.
MUNGESA E MBËSHTETJES SË FAKTORIT NDËRKOMBËTAR
Kjo është pika më e dobët e Sali Berishës dhe e mbështetësve të tij. Jo vetëm vendimi që ai është shpallur non grata nga sekretari amerikan Antony Blinken, jo vetëm fakti që ai tashmë është në një konflikt të hapur me SHBA. Jo vetëm që ai ka një përplasje personale me përfaqësuesen e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim, por Berisha dhe mbështetësit e tij kanë kundër të gjithë faktorin ndërkombëtarr. As diplomacia e SHBA-së por as e ndonjë vendi të BE-së nuk mbështet Sali Berishën dhe dhunën që është përdorur më 8 maj. A ka ndonjë diplomat amerikan dhe perëndimor që e ka takuar dhe mbështetur Berishën këto muaj? Asnjë. E pra nuk mund të arrish të vihesh në krye të PD-së e aq më keq në krye të qeverisë me një parti që nëse zgjidhet Berisha kryetar do ti ndërpritet komunikimi me SHBA-në. Kjo është një pikë që Berisha dhe të tijtë sigurisht që e dinë por që tashmë është aq e rëndësishme saqë nuk mund të thuash se cila është rrugëdalja.
LULZIM BASHA PO I TREGON DHËMBËT BERISHËS DHE MBËSHTETËSVE TË TIJ
Vërtetë Berisha nuk e arriti ta merrte selinë dhe ky është një dështim. Ne sot mund të themi një mijë e një të zeza për Berisshën. Mund të themi se është autor i disa kryengritjeve deri të armatosura ndaj institucioneve në këto 31 vjet. Por ne mund të themi sot që edhe Lulzim Basha është autor kthimit të një Partie Demokratike në parti aspak demokratike që dhunës iu përgjigj me dhunë. Aksush nuk mund ta kundështojë këtë. Në këtë histori Basha ka të drejta ta pikturojë Berishën djall, por Basha kurrën e kurrës nuk mund të bëjë engjëllin. Mjafton të përmendim momentin kur një skuadrilje të panjohurish që me hunj në duar u lëshuan ndaj protestuesëve që hipën në katin e dytë të selisë, hedhja e karrigeve nga dritarja dhe më skandalozja përdorimi i gazit kimik që tani po i ndërrojnë emrin është një shkelje ligjore po aq e rëndë e ardhur nga brenda selisë. Përpjekjet për të anatemuar policinë janë të dëshpëruara si nga Basha dhe nga Bardhi. Zotërinj, mbështetësit tuaj përdorën dhunë dhe si të tillë çfarë duhet tu thotë policia, bravo ju qoftë?
MUNGESA E LIDERËVE TË RINJ NË RADHËT E KUNDËRSHTARËVE TË BASHËS.
Unë e kam shkruar dhe thënë edhe herë tjetër. As Lulzim Basha e as Sali Berisha nuk janë e ardhmja e PD. Por kush do jetë thotë dikush? Kjo është një pyetje që sigurisht që vlen por përgjigjja është shumë shumë e gjerë. Në PD ka gra e burra që kanë shumë më shumë kredite se sa Berisha dhe Basha në këto momente. Janë të tillë që kanë vizion, që kanë moralin me vete dhe që frymëzojnë. Por habia ime është se si këta nuk po dalin mbi ujë. Mirë deri dje nuk i linte Berisha dhe Basha, po sot? Lider nuk mund të bëhesh duke qendruar nën hijen e të madhit. Lider nuk bëhesh as duke qendruar pas fustanit të gruas dhe ta ndjekësh përballjen e partisë në televiziorin e sitting room se ke frikë pikërisht të përballesh. Lider bëhet duke u farkëtuar në beteja politike dhe duke u përplasur me ide. Vazhdoj të kem bindjen se pikërisht në kriza të tilla lindin liderët e mëdhenj. Jam plot shpresë se kjo do ndodhë pavarësisht se shpesh më hipën një pesimizëm kur shikoj disa personazhe që krekosen duke thënë se nuk janë as si Berisha e as si Basha dhe pastaj fusin kokën nën jorgan duke thënë çmë duhet mua të dal kur atje po bëhet nami. Epo kështu këtyre tipave unë u them “më mirë ik laj enët” dhe mos u merr me politikë.
ALEANCA PA ALEANCË E BASHËS ME RAMËN
Në këtë situatë që ndodhet PD nuk ka fare nevojë që Edi Rama të bëjë aleancë me Lulzim Bashën. Këto akuza se Basha bashkëpunon me Edi Ramën për të prapsur Sali Berishën janë diletante dhe me IQ të ulët. Pse mos ta themi troç se Edi Ramës i intereson kjo përplasje në PD. Përse mos ta themi se Edi Rama ka lindur me këmishë dhe me këtë që po ndodh në PD ai jo mandatin e tretë, por do marrë në tepsi edhe mandatin e katërt? Pse mos të themi se nuk ia ka fajin Edi Rama as Lulzim Bashës dhe Sali Berishës që “luajnë kështjellash në mes të Tiranës”. E pra Edi Ramës i intereson që çke me të kjo që po ndodh në PD por që njëra palë e akuzon se ai bashkëpunon me Bashën dhe tjetra se bashkëpunon me Berishën ia shtojnë akoma më shumë kënaqësinë Ramës. Ironia e përdorur nga Andi Bushati që e quante koaliconi Rama-Basha momentin kur ndërhyri policia ka një fërë të drejtë. Po. Por kurrën e kurrës nuk besohet se kjo ka ardhur pas një takimi të fshehtë te një cep pallati mes Bashës dhe Ramës dhe pas kësaj ranë në ujdi ta sikterisin Berishën. Politika nuk është kaq e trashë. Interesat po. Ato mund të arrihen edhe me aleanca fluide. Madje edhe kur Rama organizon bisedë live me demokratët.
Shumë e bukur kjo analize.Me gjykim te ftohte