Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkuar në zyrën e tij në selinë blu, pak orë para fillimit të protestës së thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, që pritet të nis rreth orës 12:00.
Teksa u fut brenda oborrit të partisë, Basha ndaloi për disa sekonda për të përshëndetur të gjitha gazetarët dhe kameramanët që ishin prezent.
Në një moment, Basha shkëmben disa fjalë me një prej kameramanëve mirëpo nuk dihen saktë se çfarë porosie iu la.
Në deklaratën e bërë dje, Sali Berisha ka paralajmëruar se anëtarësia e PD-së do të nxjerrë nga zyra e tij kreun e selisë blu, pasi pretendon se ai është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
Protesta vjen ndërkohë që gjatë ditëve të fundit në seli kanë tentuar të hyjnë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, dhe të rinj të FRPD-së, por dyert kanë qenë të mbyllura. Demokratët thonë se në ambientet e selisë blu po kryhen punime, ndërkohë që përkrahësit e Berishës pretendojnë se Basha ka blinduar dyert duke e kthyer godinën në bunker.
Berisha u shpreh ditën e djeshme gjatë një interviste se do të përdoren mjete për të hapur dyert, duke shtuar se nuk do të ketë dhunë. Basha lëshoi edhe dje akuza në drejtim të Berishës duke u shprehur se ai ka mobilizuar kriminelë dhe trafikantë, ndërsa apeloi që demokratët të qëndrojnë larg skenarëve të dhunës.
g.kosovari