Ministri i Jashtëm i Sirisë thotë se qeveria është e gatshme për të marrë pjesë në bisedimet e paqes në Gjenevë, që do të mbahen në fund të këtij muaji, por sipas tij, paraprakisht duan ta shohin listën e grupeve opozitare që do të marrin pjesë.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Sana, raportoi se Walid al-Moallem ka thënë gjatë të shtunës se qeveria siriane duhet të sigurohet që “grupet terroriste” nuk do të jenë pjesë e bisedimeve. Moallem i ka bërë këto komente gjatë një takimi në Damask me të dërguarin e OKB-së, Staffan de Mistura, shkruan rel.
Të gjithë ata që luftojnë për ta përmbysur presidentin Bashar al-Assad, për qeverinë ne Damask, janë terroristë. Qeveria thotë se bisedimet duhet të fokusohen në atë se si të luftohet terrorizmi, derisa partitë opozitare kërkojnë që Assadi të jap dorëheqje në kuadër të marrëveshjes së paqes që mund të arrihet.
Këshilli i Sigurimit t Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një rezolutë, në dhjetor, që ka të bëjë me planin kalimtar për Sirinë. Takimet për Sirinë, të mbajtura në Gjenevë gjatë vitit 2014, nuk kanë pasur rezultat. I dërguari i OKB-së ka qëndruar sot në Damask, në kuadër të vizitave në rajon që kanë për qëllim nxitjen për bisedime.