Statistikat e ngjarjeve kriminale të ndodhura në ditët e para të vitit 2016, Partia Demokratike i hikon si prova të qarta që tregojnë se krimi ka kapur shtetin.
Partia Demokratike akuzoi përmes Ervin Salianjit sërish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me botën e krimit.
““Pak minuta më parë, në mes të ditës, në mes të Tiranës, një 39vjeçar u mor peng në prani të fëmijës së tij të mitur. Dje u ekzekutua në mënyrë mafioze një 44 vjeçar në Fier. Një person i pajetë u gjet sot në Klos. Kjo është kronika e 24 orëve të fundit. Ndërkohë që bilanci i këtyre 9 ditëve është tronditës, 21 viktima në vrasje dhe aksidente në pak ditë. Këto janë ditët më të mira për mafian, sepse mafia ka njeriun e vet në Qeveri, Saimir Tahirin. Larje hesapesh, ekzekutime mafioze, rrëmbime në mes të qytetit. Saimir Tahiri është nxitësi kryesor i krimit, i trafikut të drogës, paligjshmërisë dhe paprekshmërisë së krimit. Zbatoni ligjin sepse dita e ndarjes së krimit nga shteti nuk është e largët”, tha Salianji.