Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për mediat iu bëri thirrje mbështetësve të tij por edhe rivalëve që të bëhen bashkë përballë regjimit të kryeministrit Edi Rama.
Nga ana tjetër ai ‘mbylli’ derën e bashkëpunimit me ish-kryeministrin Sali Berisha duke shtuar se; ‘nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë’.
“Demokratëve, mbështetësve të mi, mbështetësve të forumeve të PD-së, kritikëve të mi, kundërshtarëve dhe rivalëve të mi ju them të qendrojmë të bashkuar përballë regjimit të Edi Ramës, përballë skenarëve të dhunës e shkatërrimit të PD-së. Dua të përsëris se ndërsa nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë,
jam i gatshëm të dëgjoj dhe po dëgjoj, po reflektoj e do të vazhdoj të reflektoj me qëndrime e vendime demokratike ndaj kritikave, kundërshtimeve, kërkesave dhe propozimeve që forcojnë bashkimin tonë në diversitet, që shërbejnë për modernizimin e Partisë Demokratike dhe fitoren e saj. Kjo është e ardhmja që demokratët kanë zgjedhur, kjo do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike!
Faleminderit!”, tha Basha.
/b.h