Pavarësisht se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka injoruar ultimatumet dhe madje duket i vendosur për të mos lëshuar zyrën, mbështetësit e Berishës janë të bindur se më 8 janar ata do ta marrin nën kontroll selinë e PD, pasi sipas tyre, kjo godinë iu përket demokratëve. Një paralajmërim të kësaj natyre e ka bërë dje deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, i cili teksa ishte i ftuar në një studio televizive, theksoi se telenovela me kyçjen e dyerve të selisë blu do të marrë fund më 8 janar, kur sipas tij demokratëve do t’u kthehet shtëpia e tyre.
“Ka vendime të Kuvendit të 11 dhjetorit që duhen zbatuar. Komisioni i Rithemelimit duhet të vendoset në ato zyra dhe të vazhdojë punën. Protesta do të jetë paqësore. Qëllimi i protestës është të rimarrë selinë e PD dhe t’ia kthejë anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët vendimet i marrin me shumicë”, deklaroi ai.
Më tej deputeti Spaho shprehet se Basha do të bënte gabimin më të madh nëse i përgjigjet me forcë demokratëve. “Unë nuk besoj që Basha do t’i qëndrojë vrullit të anëtarësisë. Do t’i përgjigjet me forcë atyre? Do të bënte gabimin më fatal nëse e bën këtë bashkë me Edi Ramën. Nëse anëtarësia nuk të do nuk mund të qëndrosh me zor. Demokratët do të shkojnë atje që të marrin shtëpinë e tyre, Selinë e PD e cila tanimë është kthyer në bunker”, u shpreh ai.
Ndërkohë deputeti Spaho rikujtoi edhe një herë gabimet e rënda që ka bërë Lulzim Basha, sipas tij në këto 8 vite që drejton PD-në. “Janë marrë vendime shumë të gabuara. Unë si kryetar i Grupit Parlamentar kam pasur takime me zyrtarë të lartë amerikanë dhe i kam premtuar atëherë se kurrë nuk do t’i braktisim mandatet. Dhe erdhi momenti dhe e bëmë. Unë asnjëherë nuk e kam kuptuar pse ne nuk ishim aty kur u bë reforma territoriale. Të gjitha gabimet janë mbledhur dhe janë mbivendosur”, nënvizoi Spaho.
Sali Berisha i dha ultimatum Bashës që të lironte zyrën deri më 5 janar, pasi në të kundërt do të shkojë në “shtëpinë e demokratëve”, por kryedemokrati i është përgjigjur duke “fortifikuar” më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm.
/a.r