Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) ka njoftuar së fundmi se një shtab i saj pararojë do të ngrihet në Shqipëri. Në njoftim thuhet, se selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal. Lidhur me lajmin për krijimin e shtabit të ushtrisë amerikane në Shqipëri, diplomati Lisen Bashkurti tha, në një intervistë televizive se është një ngjarje shumë e rëndësishme, kjo edhe për shkak të tensioneve gjopolitike.
“Me të vërtet një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë dhe rajonin, duke pasur parasysh që SHBA ka rol udhëheqës në NATO. Vendosja e qendrës operacionale në Shqipëri, do të thotë një vlerë e shtuar e sigurisë dhe paqes, në rajonin e Ballkanit. Ky është momenti i duhur, për shkak se zhvillimet e fundit gjeopolitike që kanë të bëjnë me rolin agresiv të Rusisë në Europën lindore. Ballkani është përballë sfidave të sigurisë dhe vendosja e shtabit të ushtrisë amerikane është i domosdoshëm”, tha ai.
Ndër të tjera, Bashkurti foli edhe mbi anëtarësimin e vendit në Këshillin e Sigurimit të OKB. Ai e cilësoi jashtëzakonisht të rëndësishme dhe pikë kulmore në diplomacinë shqiptare anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillimin e Sigurimit të OKB-së. Ai tha se trupa ynë diplomatike duhet ta përdorë këtë moment për të lartësuar imazhin e vendit tonë duke treguar se ka çfarë të japë në diplomacinë ndërkombëtare.
“Jashtëzakonisht e rëndësishme, pikë kulmore në diplomacinë shqiptare, e para herë në 67 vjet të ekzistencës së Shqipërisë në OKB, hera e parë që zgjidhet anëtare e përkohshme, por vendet e tjera të gjitha kanë qenë herët e tjera. Këshilli i sigurimit ka dy struktura që funksionojnë, anëtarët permanent dhe struktura e dytë që janë anëtarë jopermanent që zgjidhen çdo dy vjet”, tha ai.
/a.r